Nallbani: Tirana e Partizani t’i thërrasin mendjes, na mbeti titulli në Korçë

0

Blendi Nallbani është një nga figurat e kryeqytetit. Ka luajtur me Partizanin e Tiranën. Me dhjetëra trofe të fituar, ai është një nga njerëzit më të titulluar në futbollin kryeqytetas. Në një intervistë për “Sport Eskpres”, “Tata”, ish-portieri i kombëtares dhe debutuesi më i ri me fanellën kuqezi, ish-drejtues klubi te Tirana e aktualisht, shefi i klubit shumësportësh të Studentit, flet për futbollin shqiptar. Në plan të parë Tirana e Kategorisë së Parë, por edhe Superiorja me Skënderbeun, Partizanin e skuadrat e tjera të vendit tonë.

-Si të duket Tirana në Kategorinë e Parë?

Të them të vërtetën, Tirana që do të dalë në Superligë, as nuk diskutohet. Edhe pse Tirana tani është dy pikë vendi i dytë jam i bindur, që ekipin do ta shohim në Superiore. E kam ndjekur nga larg dhe po shoh që ka probleme me fushat në këtë kategori. Flas këtu për madhësitë e fushave, cilësinë, që një skuadër si Tirana i vuan jo pak. Ishte një vit aksidental i cili do të kalojë. Në fakt, unë kisha vënë një bast me miqtë e mi, që Tirana do të ishte 10 pikë para. Deri tani e kam humbur. Gjithsesi, Tirana mbetet Tirana dhe nuk është normale që të mbetet jashtë Superiores. Dhe këtu bazohem te niveli i ekipit dhe kundërshtarëve që ka në kategorinë ku luan. Janë një skuadër që duhet të luanin në Superiore, por s’ke çfarë të bësh.

-Dy barazime në fund të fazës së dytë që kanë komplikuar jo pak rrugën drejt Superiores?

E kam parë ndeshjen. Sidomos atë me Bylisin. Ishte një turp që u dha një penallti e atillë në minutat e fundit. Nuk e di çfarë ishte ai vendim. Lojtari lëvizi dhe u hodh, e gjyqtari dha penallti. Ky është një plan. Plani tjetër është që Tirana nuk duhet të lërë ndeshje të hapura në fund të lojës, apo të rrezikojë e të diskutojë një ndeshje të Kategorisë së Parë. Tirana duhet t’i mbyllë ndeshjet pa nisur mirë loja.

-Të vjen keq që sheh te Tirana shumë afrikanë? Ju keni luajtur shumë i ri me kombëtaren…

Si te Tirana, Partizani apo skuadra të tjera, sheh që ka akademi futbolli dhe kanë një strategji për të rinjtë. Unë kam dalë nga shkollat sportive. Gjithsesi, edhe pse kanë akademi dhe kanë talente, klubet nuk u japin dorë. Klubi ka vendosur që të përkrahë një ide tjetër, atë të lojtarëve të huaj. Nuk kam asgjë me ta, por klubet e shohin aty më të mirën e tyre. Fakt është që te Tirona, zor se gjen ndonjë “tirons”, apo janë “me kokrra”. E njëjta gjë edhe në klubet e tjera. Këta presidentë e vendosin vetë kë do të marrin, por unë jam i mendimit se skuadra duhet të jetë me bërthamë vendase dhe të dalë nga akademia.

-Të ka pëlqyer Tirana në lojë?

Faktikisht në pjesën e parë të sezonit më pëlqeu. Unë mendova se ata e mbyllën me kategorinë e Parë. Siç duket edhe skuadra mendoi kështu dhe u vetëkënaqën dhe jemi këtu ku jemi. Gjithsesi, dy pikë janë shumë pak. Kundërshtari të vjen menjëherë dhe të kalon po nuk e pate mendjen. Por unë kam bindjen se stafi me presidentin Halili (të cilin e përshëndes, sepse nuk e takoj prej katër muajsh) do të dinë ta nxjerrin këtë skuadër në Superiore. Ama një këshillë e kam: Tirana duhet të fitojë, por të mos fluturojë, e qëndrojë me këmbë në tokë.

-Shkëlqim Muça ka hedhur një ide. Në privatizimet e klubeve, një pjesë e aksioneve t’u jepen figurave të klubit…

Jam plotësisht dakord me Çimin. Do të ishte fantastike. Dhe jo vetëm te futbolli, por edhe te të gjitha sportet. Kemi kontribuuar në fushë dhe jashtë saj. Ashtu siç e meriton ai që ka tani ekipin, Refik Halili. Ai ka dhënë nga pasuria e tij për Tiranën dhe e meriton, pavarësisht gabimeve që mund të bëhen. Çdo njeri gabon, apo ka gabime. Unë kam plot gabime. Ti dhe të tjerët kanë plot gabime. Nuk ka njerëz të pagabueshëm. Nuk do të futen të gjithë, sigurisht, por ata që kanë më shumë, Nallbani, Devi e tjetri, bie fjala. Do të ishte diçka fantastike për futbollin.

-Superiorja, si të është dukur sivjet?

Për mua është rritur dhe rritet vit pas viti. Për Skënderbeun e kam thënë edhe më parë. Kur t’u vinë “mendë” Tiranës, Partizanit, Vllaznisë apo Flamurtarit, që të fitojnë titullin, Skënderbeu i ka marrë edhe tetë tituj të tjerë. Me atë buxhet që ka dhe me një klub të organizuar, ajo skuadër nuk mbahet. Unë për të ardhmen nuk flas dhe e kam për çështjen e UEFA-s. Aktualisht ata janë më të mirët, duke filluar që nga trajneri, që e kanë më të mirin, lojtarët dhe paratë.

-Të vjen keq që sheh Dinamon pa fushë, edhe pse kishte një super kompleks?

Shumë! Te Dinamo kam kaluar vite të jetës sime i grumbulluar në kombëtare. Ka pasur kompleksin më të madh dhe më të bukur sportiv në vend. Kësaj historie i thonë: “me të humb emri”. Është turpi i madh që ajo skuadër ka përfunduar në atë gjendje. A kanë ndonjë gjë ata, vend zyra, fusha, ku rrinë? E njëjta gjë te Partizani shumësportësh. U detyrova që të afroja shumësportëshin e Partizanit në ambientet e Studentit. Është turp që klube si Partizani, Dinamo kanë mbetur në rrugë.

-Kur do të vijë titulli në kryeqytet?

Një: kur Tirona e Dinamo të kthehen në Superligë. Dy: kur Partizani t’i thërrasë mendjes, sepse në të kundërt, kampion edhe për pesë vite rresht del Skënderbeu.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.