Nako tek Egnatia, Mitraj jep fjalën

Skuadra rrogozhinase nuk ndalet nga merkato, duke marrë dy lojtarët që e mbyllën sezonin me Bylisin. Afrohet edhe mbrojtësi Selimaj nga Turbina

Fatmir Efica

Miqësore e vërtetë. Kështu mund të quhet kjo e sotmja për ekipin rrogozhinas. Në transfertë Egnatia do të ketë përballë Apoloninë e Fierit, që së fundmi ka emëruar trajner kavajasin Ndriçim Kashami. “Kjo ndeshje do të na shërbejë shumë”, u shpreh dje posaçërisht për “Sport Ekspres” trajneri Vladimir Gjonaj, që me tej zbulon: “Në këtë takim ne do të kemi në dispozicion dhe dy prurjet më të fundit, fierakun Rudin Nako, një lojtar me eksperiencë të konsiderueshme edhe në Superiore, si dhe Andi Selimajn që vjen nga Turbina. Dua të veçoj se kemi pasur këto ditë kontakte telefonike me sulmuesin Aldo Mitraj. Momentalisht ai ndodhet në Greqi, por deklarata e lojtarit ka qenë optimiste. Mitraj i është lënë afat të paraqitet deri më 7 gusht dhe futbollisti ka deklaruar paraprakisht se Egnatia do të jetë për të zgjedhja e parë”, saktësoi tekniku Gjonaj.
FAZA PËRGATITORE
Nuk është vendosur akoma, por dje në mesditë Gjonaj konfirmoi se po bëhen përpjekje që faza përgatitore e skuadrës të spostohet në Razëm të rrethit të Shkodrës. “Klima shumë e freskët, duke iu larguar temperaturave të tmerrshme që kemi punuar në këto tre javë të para, na jep një avantazh. Por e rëndësishme është fakti se në këtë kamping malor mbi 1300 metra mbi nivelin e detit, ka tashmë dhe ambiente sportive funksionale”, qartësoi tekniku matjan. Natyrisht shkëputja drejt Razmës bëhet edhe për shkakun se në stadiumin “Hasan Zyla” të Rrogozhinës prej disa ditësh kanë nisur punimet, që nuk lejojnë skuadrën të stërvitet aty.
PLOTËSIMI I GRUPIT
Java e ardhme është shumë e rëndësishme, pasi pritet të vijnë katër futbollistë nga Zvicra, negociuar nga presidenti i kompanisë “E & E Shpk”, përfaqësuar nga Shqipërim Berisha. Grupi i të ardhurve të deritanishëm, me portierët Oltion Haremi e Kadri Birja, si dhe futbollistët Arbër Allkanjari, Armando Luzi, Fatjon Topi, Andi Selimaj, Rudin Nako, së bashku me Mitrajn që mund të zyrtarizohet dhe me një mesfushor malazez, mund të mbyllin merkaton . Trajneri Gjonaj ndjehet mirë në lidhje me sigurimin e një grupi futbollistësh kualitativë, që pritet t’i japin ekipit të Egnatias fytyrën e një skuadre me pretendime e ambicie të mëdha në sezonin e ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *