Nako: Apolonia, më e konsoliduar sezonin e ri

0

Mbrojtësi fierak, Rudin Nako, pavarësisht vështirësive që mund të sjellë Kategoria e Parë, beson se skuadra e tij do të sfidojë çdo rival në grupin e saj Altin Kuko Apolonia ka mbyllur javën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Kategoria e Parë është mjaft e vështirë, aq më tepër grupi i jugut, ku bën pjesë skuadra fierake.

Parashikohet një kampionat shumë i egër dhe drejtuesit e Apolonisë e kanë shumë të qartë situatën. Ata janë duke menduar për të bërë disa përforcime, ku më të nevojshmit janë një sulmues dhe një mesfushor, por deri në këtë moment nuk ka ndonjë lëvizje konkrete. Gjatë kësaj jave, trajnerët Mërgjyshi dhe Demiri kanë pasur edhe mungesa, siç janë ato të mbrojtësit Atanda dhe sulmuesit Rajkoviç.

Të dy futbollistët e huaj do të bashkohen pas disa ditësh me skuadrën për arsye të ndryshme. Më shumë do të vonohet Atanda, i cili ka edhe një ndeshje me kombëtaren e vendit të tij dhe pritet të jetë në Fier në fund të muajit. NAKO – Mbrojtësi Rudin Nako thotë për “Sport Ekspres” se skuadra do të jetë e konsoliduar në kohën e duhur dhe se do të jetë Apolonia, që do të diktojë në grupin e jugut:

“Kemi vetëm disa ditë që kemi nisur stërvitjen dhe gjithçka ka shkuar mirë, pavarësisht se me grupin nuk janë bashkuar ende të gjithë futbollistët. Kemi kohën e duhur për t’u përgatitur sa më mirë për një kampionat shumë të vështirë siç është ai i Kategorisë së Parë, ku mendoj se do të jemi ne që do të udhëheqim. E kemi të qartë se këtë radhë ka më tepër rivalitet, duke parë skuadrat pjesëmarrëse, por ne kemi objektivat tona për kthimin e shpejtë në Superligë dhe shohim vetëm punën tonë. Skuadra është thuajse ajo e sezonit që shkoi, që konkurroi me dinjitet mes më të mirëve, por tashmë kemi më shumë përvojë.

Janë larguar pak lojtarë dhe patjetër që drejtuesit do të ndërhyjnë në merkato për të marrë lojtarët që na duhen për të pasur një ecuri sa më të mirë sezonin e ardhshëm. Ndoshta është ende herët për të folur, por jam i bindur se Apolonia do të jetë skuadra, që do të diktojë në grupin e saj, pasi ka më shumë vlera, një grup të konsoliduar dhe një staf profesionist. Me kalimin e kohës do të luajmë dhe ndeshjet miqësore, që do të tregojnë më qartë se në çfarë niveli jemi”, – është shprehur mbrojtësi fierak.

Ofertë konkrete për Realdo Filin

Apolonia mund të humbasë një nga talentet e saj për sezonin e ardhshëm. Mesfushori Realdo Fili, i cili spikati sezonin që shkoi me lojën dhe golat e tij, po ndiqet me shumë seriozitet nga kroatët e RNK Split. Madje, mësohet se në klubin fierak ka ardhur një ofertë konkrete nga këta të fundit dhe drejtuesit bardhejeshilë po e studiojnë.

Sigurisht që ata duan të përfitojnë sa më shumë financiarisht në këtë rast dhe mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrin, por vështirë se do t’i hapin probleme lojtarit për kalimin në një skuadër të huaj, siç është rasti konkret. Gjasat janë që Fili të shkojë në Kroaci dhe të bashkohet me ish-lojtarin e Partizanit, Rrahmanin. I cili para pak kohësh kaloi te RNK Spliti.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.