Naingolan zbarkon në Milano, Spaleti: Tani, ndryshim skeme!

Kapele dhe pantallona të zeza, fanella e bardhë dhenjë buzëqeshje e madhe. Në Milano ka mbaruar pritja për ardhjen e Radja Naingolanit, që në ornë 20:45, në mbërritje nga Roma, ka arritur me makinë Melia, hotelin ku qëndrojnë blerjet zikaltër. Përveç se e prisi zyra për shtyp, ishin edhe 180 tifozë zikaltër, që janë dukur mjaft entuziastë, duke u shprehur “tani jemi për titull!”.
Pak fjalë në momentin e mbërritjes, vetëm një “tifozët e lumtur? Të shpresojmë që të jenë edhe më shumë kur të më shohin në fushë!”, ka thënë mesfushori pasi i “përqafoi” nga veranda e hotelit. Për pjesën tjetër, shumë buzëqeshje dhe emocion, teksa më pas ka qenë edhe radha e selfit.

Janë programuar, sakaq, ditën e hënë, ora 09:30 vizitat mjekësore. Më pas, hapi i fundit, firma për 3 vjet (por, nuk përjashtohet edhe për një tjetër vit).
Askush nuk e kupton qartë logjikën e lëvizjes së Romës në merkato, por pak rëndësi ka, Interi falënderon dhe i gëzohet firmës së mesfushorit Raxha Naingolan, që prej mbrëmjes së sotme është zikaltër.
Mesfushori belg, lojtar kyç këto vitet e fundit te Roma, nis një kapitull të ri në karrierë dhe pas kontrolleve mjekësore do të firmosë e do të prezantohet.

30-vjeçari nuk shkoi në Kupën e Botës për shkak të zgjedhjes së trajnerit Roberto Martinez, i cili ka vlerësuar edhe sjelljen e tij, që me sa duket ka qenë vendimtare edhe për vendimin e Romës për ta shitur, pas 4 sezonesh dhe 203 ndeshjesh si verdhekuq. 24 milionë euro në dorë për Romën, por edhe mesfushori i talentuar 18-vjeçar Nikolo Zaniolo dhe mbrojtësi 27-vjeçar Davide Santon, i cili është kthyer në objekt humori, pasi transferimi i tij te Roma duket si një fitore për Interin.

Spaleti: Ai që na duhej, me De Vrij ndryshoj skemën!
Luçiano Spaleti, trajneri i Interit, pas ardhjes së Radja Naingolanit, ka reaguar në një deklaratë për “Sky”, duke u shprehur se “ardhja e Naingolanit është sinjal i fortë. Sidomos fakti që na zgjodhi. Ishte ai që na mungonte. Tani, mund edhe të bëjmë mbrojtjen me tre, pasi kemi marrë edhe De Vrij”. Por, si do të ndryshojë Interi, sipas Spaletit. Në fakt, tashmë mund të luajë De Vrij në qendër, ndërsa në krah do të ketë Skriniar dhe në anën tjetër, Mirandën.

Kjo ka sjellë edhe shitjen e Santonit dhe faktin që Kanselo nuk është mbajtur dhe nuk janë paguar ato 38 milionë eurot. Me ardhjen e Naingolanit, mesfusha do të pësojë një ndryshim të vogël, teksa në qendër do të jenë pikërisht Brozoviç, Galiardini dhe Naingolan, ndërsa në krah Kandreva dhe Perisiç, me në sulm Ikardin. Sigurisht, pa pasur parasysh ndryshimet e tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *