Naingolan: Po Maradona, duhet gjykuar për atë që bën jashtë fushe?

Mesfushori i Romës flet për lënien jashtë Kupës së Botës nga trajneri i Belgjikës Roberto Martinez: “Asnjë futbollist i rëndësishëm nuk ka mbetur jashtë Botërorit 2 herë rresht. Njerëzit duhen gjykuar për ato që bëjnë në fushë, përndryshe çfarë do thuhej për Maradonën?”.

Përjashtimi i Raxha Naingolanit nga Botërori i ardhshëm ka bërë shumë bujë në Belgjikë, ku është organizuar edhe një peticion, por që natyrisht nuk do të mjaftojë që trajneri Roverto Martinez të ndryshojë mendim dhe këtë e di mirë edhe vetë mesfushori i Romës. “Nuk mundem më, nuk dua të luftoj më – shpjegon ai që quhet “Ninxha” nga tifozët, duke folur për hln.be – Të vajturit në Kupën e Botës ishte ëndrra ime që fëmijë dhe tani ma hoqën. Tani mund të hyj në librin e rekordeve Guinness, si i pari lojtar i nivelit të lartë që është lënë jashtë në dy Botërorë rresht. Është diçka aq e pakuptimtë, saqë do duhej ta merrja me humor, por jam i trishtuar. Kam luajtur mirë me Romën dhe mbërrita në gjysmëfinalet e Champions League, nuk e meritoj të shkoj në Rusi? Katër vite më parë mbeta jashtë Botërorit jo sepse luaja keq, por sepse luaja me Kaliarin, ishin rrethana të tjera. Më pas kalova te Roma dhe as 4 sezone të mira nuk kanë mjaftuar që të shkoj në Botëror”.

Mesfushori i Romës është i bindur se arsyet e vërteta të lënies jashtë lidhen me sjelljen e tij: “Unë i tillë jam, nuk mbaj maska, nuk kam ç’të bëj dhe nuk kam ndërmend t’i ndërroj për ata. Jam lodhur nga përshkrimi si një djalë i keq. Futbolli është ende një hobi për mua. Dakord, tani është bërë puna ime, por dua të gjykohem për paraqitjet e mia në fushë, jo për atë që bëj jashtë fushe. Apo duhet të flasim ndryshe për Maradonën për këtë arsye? Çdo njeri është i lirë të bëjë atë që dëshiron, mjafton që të jetë i zoti në fushë. Mendoni se të gjithë futbollistët janë djem të mbarë? Nuk më vjen turp ta them”.

Më pas, Naingolan tregon bisedën me Roberto Martinez: “Më telefonoi të dielën për të më pyetur nëse isha në Roma apo në Belgjikë dhe më pas u takuam në afërsi të Romës, në Fiumiçino. Mendova se dëshironte të bisedonte me mua për t’u siguruar për sjelljen time. Pyeta shokët e mi në kombëtare, Mertens, Hazard, De Brujne e Fellaini, nëse sipas tyre do vinte të më sqaronte rregullat, apo për të më thënë që nuk do shkoja në Kupën e Botës. E vlerësova faktin që erdhi deri në Romë për të më takuar personalisht, edhe unë do bëja të njëjtën gjë në vend të tij, sepse kur kam problem me dikë shkoj dhe ia them në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kështu, e nisi bisedën duke më thënë që jam një lojtar i madh, një me një rol shumë të rëndësishëm te Roma. ‘Po tëisha trajner klubi, do e ndërtoja skuadrën rreth teje, por në Kombëtare është e pamundur. Nuk kam kohë për ta bërë këtë gjë’, më tha. Më pas shtoi që jam tepër i rëndësishëm për të bërë lojtarin e 20-të në skuadër. Ka lojtarë më të rinj që do ishin të lumtur të luanin qoftë edhe një minutë, por unë jo. Pjesërisht e kuptoj shpjegimin e tij kur flet për taktikë, por ç’do të ndodhte nëse dëmtohen dy mesfushorët e qendrës? Do luajnë dy të rinj? E sigurova që do isha gati nëse do kishte nevojë për mua, edhe si lojtari i 22-të, në çdo rol. ‘Më thuaj çfarë pret prej meje’, i thashë. Biseda zgjati rreth 20 minuta. Në fund më shpjegoi që zgjedhjet nuk ishin përfundimtare, por nga fjalët e tij isha 70% i sigurt se nuk do grumbullohesha. Kishte frikë se do krijoheshin probleme po të shkoja në Rusi”.

Tani “Ninxha” do të shijojë pushimet, duke e parë Botërorin në televizion: “Kam marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë shokët e kombëtares. Hazard dhe Felaini më thonë që të ruaj qetësinë, por e kuptojnë si ndihem. Gjithsesi, u uroj të shkojnë sa më larg. E kemi cilësinë për t’u bërë Kampionë Bote, pse të mos besojmë?”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *