Nagelsman, futbollisti që “lindi” në pankinë!

0

 

“Sjam një diktator. Lojtarët më respektojnë, nuk kanë frikë”… Sot, e gjithë Bundesliga e respekton, teksa vetëm pak vjet më parë, refuzoi të punonte për Bajernin, që e mundi para 2 ditësh. Historia e pabesueshme

Në moshën 28 vjeç, sigurisht, një djalosh që ka ende talent, fuqi, pasion dhe dëshirë për t’u sakrifikuar dhe ndjekur regjimin e një profesionist, do të luante ende futboll…

Edhe Julian Nagelsman, i lindur në Landsberg am Leh, qyteti i Bavierës së Lartë – e famshme për burgun ku Adolf Hitleri i diktoi Rudolf Hes “Mein Kampf”-in – kishte provuar. Në fillim te Augsburgu, më pas te Mynih 1860. Këto do të mbeten dy skuadrat e tij të vetme si futbollist. Me formacionin e kryeqendrës së Bavierës në sezonin 2003/2004 është mbrojtësi dhe kapiteni i U-17 në sezonin 2004/2005 dhe luan 31 ndeshje në kampionatin e të rinjve. Më pas, errësira me një sërë dëmtimesh, në fillim në Mynih, më pas te Augsburgu, ku kthehet në moshën 20 vjeç për të riprovuar karrierën me topin te formacioni i rezervave. Me asnjë nga të dy fanellat s’do të arrijë të koleksionojë një paraqitje.

 “Danke” Tuhel

Është një periudhë që në një intervistë të dhënë për portalin “Spox.com”, Julian do të përshkruajë të mbushur me dhimbje fizike. Në 2008-n, pas operacionit të dytë në menisk dhe diagnozës që fliste për artrozë, djaloshi vendos të heqë dorë. Ka në teori planin “B”, duke parë se po studionte, në atë kohë, administrim biznesi, një botë që megjithatë s’do ta shihte kurrë si të tijën.

“Kërkohej përgjegjësi e madha ku roli im do të ishte ai i një personi që do të vendoste të ardhmen e familjeve dhe ndoshta të dërgoja në shtëpi persona të ndryshëm… S’bënte për mua”.. Do të deklaronte Nagelsman. As topi nuk dukej se ishte një nga prioritetet e tij. Shumë zhgënjim, sidomos në fillim. Por, ka një por… Quhet Tomas Tuhel. Eshtë trajneri i tij te Augsburgu II dhe, duke pasur një kontratë bashkë, i jep mundësinë që të punoj në një aspekt të rëndësishëm, duke i propozuar që të bëhet mbikëqyrësi i kundërshtarëve. Vetëm një vit, por sipas fjalëve të Nagelsmanit do të jetë tepër i rëndësishëm sepse trajneri aktual i Borusia Dortmundit i mëson shumë dhe çdo aspekt, duke i thënë një këshillë “Bëhu trajner!”.

Përvoja me të mëdhenjtë

Një vit i mirë, ai përkrah Tuhelit, që megjithatë nuk mjafton për të mbajtur në atë kohë 21-vjeçarin te Augsburgu, klubi që në verën e vitit 2008 i jep mundësi që të stërvisë U-12.

Nagelsman, sakaq pranon ofertën e ish klubit të tij, Mynih 1860. Bëhet asistent i U-17 i Aleksandër Shmid, trajneri që si futbollist e kishte stërvitur me këtë ekip. Një mësues i futbollit që në të shkuarën kishte rritur lojtarë si vëllezërit Sven dhe Lars Bender ose Moritc Leiner i Shtutgartit, me të cilin Julian qëndron dy vjet dhe nga i cili mëson taktikën dhe sidomos bazat e lojës.

Në 2010 thirrja që ndryshon, në fakt, jetën e Nagelsmanit, ajo e Hofenhaimit. Në Mynih ka mundësi që të vazhdojë formimin e tij me qetësi, por ai merr një rrezik të madh. Një klub i vogël, ideali për t’u rritur, por një kontekst në të cilin ai është një i ri. Një rrezik, që do ta quajë vite më pas.

Julian niset 350 km larg shtëpisë dhe nga U-17, sërish ndihmëstrajner. Ai djeg etapat, sepse në 2011 i jepet mundësia që të drejtojë U-16 dhe në dhjetor 2012, kur Markus Babel ndërrohet në pankinë nga skuadra e parë e Frank Kramerit, trajneri i ri thërret Nagelsmanin në stafin e tij.

Psikologu Julian

Julian është vetëm 26 vjeç dhe për të është një impakt i fortë. Nuk ka një karrierë si futbollist dhe është më i ri se disa nga lojtarët që zbresin në fushë, përveç se duhet ende të ngjisë shkallët dhe mësojë. Por, ka shumë për të fituar, ashtu sikurse edhe për të humbur. Ajo që Nagelsman mund t’i sjellë grupit e shpjegon vetë ai në një intervistë të dhënë për portalin “11 Freunde”.

“Pikat e mia të forcës – tregon në 2013-n – janë në fushën e trajnimit dhe takticizmit. Jo vetëm kaq, por mund të ndihmojë në bazë të eksperiencës, futbollistët që kanë pësuar goditje psikologjike”.

Dhe mbi raportin me futbollistët, shpjegon me thjeshtësi: “Kujtoj ende takimin e parë me skuadrën. Isha nervoz dhe i tensionuar, përpara profesionistësh me përvojë – tregon – por dalloja edhe që futbollistët donin të shihnin nëse isha aty krejt rastësisht ose nëse kisha një plan. Por, e kuptuan menjëherë se mund t’i ndihmoja. Nuk e prisja që do të vendosej një raport besimi”.

 

“Baby Murinjo” i Vises

Nuk mungojnë, megjithatë, episodet që krijojnë ilaritet, si debutimi në pankinë i Nagelsmanit si ndihmës te Hamburgu. Për të është është ndeshja e parë në Bundesligë si pjesëtar i stafit dhe, duke parë se trajneri Frank Kramer mungon, nuk di nga të shkojë, saqë e detyron spikerin e stadiumit që, mes vërshëllimave të tifozëve miq bërtet: “Mos kalo në mes!”.

Duke lënë mënjanë këtë episod dhe nofkën “Baby Murinjo” që i ka vendosur Tim Vise, portieri i skuadrës dhe një personash autentik (pasi ka luftuar në ring për ërestling është kthyer në fushë në kategoritë e ulëta), eksperienca, që kulminon me mbijetesën dhe që sheh rritjen e tij duke mësuar nga Kramer, Kurz dhe Markus Gidsdol. E gjitha një përvojë pozitive.

“Në këto gjashtë muaj jam rritur dhe përmirësuar”, ka shpjeguar. “Edhe në konsideratën e vetvetes, ku jam konsoliduar. Mes lojtarëve kam marrë një mikpritje që s’e prisja”.

Teknologjia në favor

Një fazë e dytë në fund të së cilës, në verën e vitit 2013, drejtuesit e Hofenheimit i besojnë U-19, kreun e piramidës së sistemit të kampionatit të të rinjve. Një përgjegjësi e madhe që i jep mundësi Nagelsmanit që të punojë në planet e larta të një strukture të avancuar dhe teknologjike, kjo edhe sepse Dietmar Hop, pronari i Hofenheimit sheh fatin e tij te SAP, një firmë që merret me kompjuterë dhe sistemesh teknologjikë të avancuar.

Julian, përveç se stërvit skuadrën, vazhdon që të qëndrojë në kontakte të ngushta me Martin Siegbert, vlerëson djemtë dhe në sektorin e të rinjve mban në raport Dik Mak, drejtorin sportiv, duke studiuar. Thonë se në muajt e parë shkonte në shtëpi pas orës 20:00 të mbrëmjes.

Shumë. Falë edhe ndihmës së software dhe të dhënat. Teksa, mjeshtri i tij Tomas Tuhel (modeli i tij, edhe personal, mbetet Pep Guardiola) e ka uruar për sukses, ai nis të fitojë dhe bindë.

Futboll shampanjë

Në sezonin 2013/2014, grupi i tij bëhet kampion Gjermanie në kategorinë e të rinjve, duke fituar grupin eliminator dhe më pas fazën finale, duke kaluar me penallti Shalken e Leroi Sanes dhe duke mundur 5-0 Hanoverin. Një goleadë, me katër gola në pjesën e dytë, të realizuara nga mbrojtësi Bahadir Ezkan, nga mesfushori Nadiem Amiri dhe sulmuesi Filip Oks. Këto dy të fundit mes 2014-ës dhe 2015-ës do të debutojnë në Bundesligë, pasi kanë kaluar në skuadrën B.

Të kultivojë talente, të përzgjedhur sipas kritereve të sakta (“scout”, siç thotë Nagelsman në një intervistë për “Goal.com”, mbajnë shënim DVD me karakteristika për futbollistë që duhet të kërkojnë), në Bundesligë dhe t’i ndihmojnë të rriten me objektivin Hofenheim.

“Nien” Bajernit të Mynihut

Një punë që Julian e bën  më së miri, saqë e kërkon, në mënyrë informale, Bajerni, në vitin 2014. Kontaktet e para me Uli Hënes, që e fton djaloshin në selinë e Bajern Mynihut për një bisedim. Bavarezët do t’i donin t’i ofronin një pankinë U-17.

Përgjigja e tij? “Jo, faleminderit”, kjo sepse ndërsa po punon me të rinjtë e Hofenheimit po studion edhe për të marrë patentën si trajner në “Hennes-Weisweiler-Akademie”, qendra e formimit në Federatën gjermane të Këlnit. Një diplomë që djaloshi e merr në shtëpi me maksimumin e notave.

Një tjetër triumf i vogël për Nagelsmanin, që është bërë edhe baba në atë kohë. Mediet, ndërkaq, nisin ta etiketojnë si “Erfolgstrainer”, trajneri i suksesit, edhe pse ka fituar vetëm titullin me të rinjtë.

Fati dhe zemra e Stivensit

Një konsideratë e madhe, teksa për Dietmar Hop, presidentin, është një “çun i dytë”. Ai, një ndër njerëzit më të pasur të Gjermanisë, dallon te Nagelsmani të ardhmen e Hofenheimit që në sezonin

2015-2016, pas një kualifikimi në Europa League shumë pranë, jeton momente krize. Pronari, që ka ndërruar Markus Gisdolin për Hub Stivens, për shkak të rezultateve të dobëta, bën me dije në tetor 2015 që Julian, pasi mbaron formimin (po plotëson specializimin), do të bëhet trajneri i ekipit të parë. Fati, ose e thënë ndryshe gjendja e Hub Stivensit, vendosen aty ku duhet…

Më 10 shkurt 2016, pas 10 ndeshjesh në timon, holandezi, ish-trajneri i Shalkes, vendos që të lërë stolin për motive shëndeti.  Zemra e tij bën luhatje dhe nuk e ndjen që të vazhdojë, madje për të Hofenheimi do të jetë etapa e fundit e karrierës, që bëhet e para për Nagelsmanin.

Filozofia e fleksibilitetit

Një djalosh 28-vjeç ndaj Guardiolës, Tuhelit, Dardait dhe Shafit. Një i ri që përpara së gjithash thërritet të ribashkojë një grup. “S’jam një diktator. Lojtarët më respektojnë, nuk kanë frikë”

Të punojmë të gjithë bashkë për një objektiv: është kjo filozofia e Julianit. Që, nga pikëpamja futbollistike është “biri” i Tuhelit. Në debutim, barazimi ndaj Verder Bremenit, hedh në fushë një skemë guximtare 3-4-1-2, por fleksibël, që varion sipas sekuencave dhe intervaleve të lojës. Madje, arma e tij është sulmi kameleon: nëse dalloni mirë, Hofenheim kur del përpara sulmon me gjashtë lojtarë.

Pergatiti: Anton Cicani

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here