Naftëtari përmbys Orikun, festë për… Partizanin!

Edi Spahiu

Dy skuadrat rivale të sezonit të kaluar, Naftëtari e Oriku janë përballur sërish midis tyre këtë radhë në turin paraeliminator të Kupës së Shqipërisë, në një ballafaqim që i gjen ende larg formës optimal sportive. Megjithatë, si kuçovarët ashtu edhe orikasit kanë dhënë një spektakël dhe kanë dhuruar emocione të shumta nëpërmjet avantazhit të dyfishtë dhe përmbysjes spektakolare të skuadrës kuçovare. Takimi sipas asaj që u pa në fushën e lojës, ka treguar se të dy skuadrat janë ende në rindërtim e sipër për sezonin e ri futbollistik, por që të detyruar për shkak të skemës së Kupës kanë treguar vlerat e tyre më të mira

NDESHJA –  Fillimisht janë miqtë bregdetar ata që befasojnë Naftëtarin me avantazhin e shpejtë të dy golave, ku në min 5′ dhe 12′ realizojnë nëpërmjet Nurçes që shfrytëzon një gabim të prapavijës vendase, dhe më pas Capoj që ekzekuton një gol mjaft të bukur nëpërmjet një veprimi të shkëlqyer me topin. Por, miqtë kanë edhe dy raste të tjera të pastra për të realizuar golin e tretë. Por, portieri vendas i mban kuçovarët në lojë. Disavantazhi i shpejtë dhe për më shumë me dy gola ka shokuar Naftëtarin, dhe në veçanti tifozerinë vendase që nis të shfaqet e paduruar dhe e pakënaqur. Por, tekniku Fraholli ka shkundur skuadrën e cila reagon me shpejtësi dhe nëpërmjet presingut realizon dy gola njëri pas tjetrit brenda dy minutave, ku Jaupaj në fillim dhe i sapoardhuri Allkanjari kanë barazuar shifrat në 2 – 2 dhe kuçovarët fitojnë besim e siguri. Ndërkohë, Llojku i vendasve ka goditur edhe shtyllën. Në pjesën e dytë, loja vijon të jetë në favor të Naftëtarit që insiston për golin e fitores, por që rastet e shumta për shënim nuk janë konkretizuar nga ana e Allkanjarit, Beharit dhe Xh. Kajo. Këta të fundit, në plot katër raste të pastra janë shumë pranë golit. Për të ardhur në fund të takimit, kur ishin akorduar tri minuta shtesë dhe të gjithë po besonin se takimi po shkonte në shtesë, është sulmuesi kryesor i Naftëtarit Redon Behari që u cilësua edhe si futbollisti më i mirë në fushë për të dy skuadrat, që realizon mjaft bukur brenda zonës dhe kualifikon kuçovarët që mesjavën e ardhshme presin një kundërshtar shumë special në turin e parë Partizanin.  

KUPA E SHQIPËRISË / TURI 1 PARAELIMINATOR

NAFTETARI – ORIKU 3 – 2

Shënues: Jaupaj 39′, Allkanjari 40′, Behari 90+3′ /  Nurçe 5′, Capoj 19′

Naftëtari: Spahiu, K. Pepa, E. Kajo, Xh. Kajo, Llojku (Zhuka 83′), Koroveshi (Marini 63′), Jaupi (Nallbati 46′), Cake, Hyseni, Behari, Allkanjari. Trajner: B. Fraholli.

Oriku: Muho, Omeri, Meta, Metaj, Hoxha, Capaj (Opari 76′), Xhelili, Nurçe, Azizi, Sadushi, Capoj (Livani 87′). Trajner: G. Mezani.

Gjyqtarë: Xh. Memaj, A. Demiraku, M. Sadikaj (Durrës)

Vëzhgues: F. Koreshi (Lushnjë); Delegat: Xh. Sefa (Lushnjë)

Kartonë të verdhë: Cake 34′ / Xhelili 64′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *