Naftëtari ngre zërin: Kriteret vlejnë vetëm për Superioren?

Në Kuçovë janë duke ndjekur me shumë vëmendje të gjitha njoftimet zyrtare të FSHF-së në këtë periudhë vere, jo se gjithçka e kanë të fokusuar tek shpresat e tyre për një rikthim të mundshëm në Kategorinë e Parë nëpërmjet një ndryshimi të mundshëm të formulës së kampionatit, por sepse ka ngacmuar jo pak vendimi i fundit i drejtuesve më të lartë të futbollit, i cili bën fjalë për masat e marra nga ana e institucionit të futbollit për skuadrat e Superiores si Kukësi dhe Kastrioti.

Këto klube, mungesë kushtesh në sezonin e ardhshëm futbollistik, do të jenë të detyruara që t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre shtëpiake në fusha të tjera jashtë qyteteve që përfaqëson. Pikërisht këtu nis edhe apeli i klubit kuçovar për FSHF-në, të cilës në Kuçovë i kërkojnë që këtë kërkesë të lartë dhe shumë rigoroze ta shtrijnë edhe në skuadrat e Kategorisë së Parë.

“Është mëse e drejtë dhe një vendim i duhur nga ana e FSHF që në sezonin e ri skuadrat që nuk plotësojnë kushtet e zhvillimit të ndeshjeve normale në fushat e tyre, t’i zhvillojnë ndeshjet shtëpiake jashtë qyteteve që përfaqësojnë. Dhe mirë bën Federata që e nis nga Superiorja, sepse kjo është një shenjë e fortë serioziteti, por do të ishte mirë që ky veprim dhe kjo kërkesë e fortë të funksionojë edhe për skuadrat e Kategorisë së Parë dhe pse jo edhe në Kategorinë e Dytë. Kuptohet që më shumë se sa Naftëtari do të përfitonte vetë futbolli, ndaj do të kërkojmë dhe mbështesim FSHF që të vendos kushte edhe për dy kategoritë poshtë Superiores, ku fatkeqësisht ka disa fusha të papërshtatshme që pengojnë një ndeshje normale futbolli, por dhe pa kushte sigurie që vendosin në rrezik skuadrat udhëtuese”, thuhet në deklaratën e Naftëtarit.
EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *