Naftëtari katastrofë, ish-futbollisti i njohur shpërthen në akuza

0

Dikur e kanë cilësuar si një nga skuadrat që dha një shembull pozitiv në revolucionarizimin e futbollit shqiptar, pasi në vitet ‘70-‘80 në shekullin e kaluar spikati për futbollin e bukur sulmues dhe me një teknikë shumë të lartë, sa që në atë periudhë disa nga ikonat e futbollit kuçovar kanë përfaqësuar ekipet tona më të mira të vendit, dhe kanë qenë prezentë në të gjitha nivelet e përfaqësimit të ekipeve tona kombëtare.

Gjithçka në kujtime të largëta, sepse situata ku ndodhet momentalisht skuadra e njohur e Naftëtarit (1 pikë në 5 ndeshje në Kategorinë e Dytë) ka bërë që me të drejtë të alarmohen të gjithë pa përjashtim specialistët më të njohur dhe sportdashësit vendas, të cilët pas humbjes më të fundit në shtëpi me skuadrën e Devollit, janë duke kaluar një moment vërtetë shumë dëshpërues, që bëhet akoma më i hidhur nga qëndrimi indiferent i klubit dhe Bashkisë së qytetit të Kuçovës që ka edhe presidencën e Naftëtarit.

Ish-portieri i famshëm dhe legjendë e kësaj skuadre, Fatmir Ismaili, është shprehur: “S’ka se si të mos ndihesh i indinjuar me këtë krizë të pashembullt që po kalon skuadra, sepse jemi të fundit edhe në Kategorinë e Dytë dhe kjo për mua është një skandal, që thellohet akoma më shumë nga heshtja e strukturave përgjegjëse, që sillen sikur Naftëtarin e kanë pronë të vetën dhe që nuk ju dhimbset aspak kur e shikojnë në këtë gjendje.

“Mos të harrojnë këta zotërinj drejtues se Naftëtari ka një histori të madhe dhe kush nuk e ndjen këtë është më mirë të hapë sa më shpejt krahun dhe të afrojnë specialistë që e duan skuadrën dhe janë më të aftë, pasi me largimin inatçor të futbollistëve titullarë tani e kanë katandisur skuadrën si mos më keq, dhe pa pikë turpi askush nuk reagon” ka mbyllur ikona e Naftëtarit, Fatmir Ismaili.

Edi Spahiu

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.