Nabueze “lidh kontratë”/ Mbyllja e javës së 12-të në Superiore, këta janë lojtarët e formacionit ideal

Java e 12 e Superiores është mbyllur duke na dhuruar edhe disa surpriza, pasi kanë bërë hap të gabuar shumë nga ekipet e shpallura si pretedente për të fituar titullin kampion. Në fund ishte Partizani që e përmbylli këtë histori, pasi gaboi ndaj Flamurtarit duke barazuar në shifrat 1-1.

Sa i përket formacionit më të mirë të kësaj jave në elitën e futbollit shqiptare, më tepër pjesëmarrja ka nga ana e Skënderbeut dhe Laçit. Futbollistë si Fangaj, Bregu, Gripshi, Krasniqi dhe Nabueze arritën të lënë gjurmë këtë herë. Në fakt, ky i fundit duket se ka lidhur kontratë me këtë vend pasi është gjithmonë pjesë e tij.

Moçka është i padiskutueshëm në portë pasi ka qenë hero me disa pritje shpëtimtare ndaj Partizanit, ndërsa paraqitje të dallueshme kanë bërë edhe Malota me Gurishtën. Pa harruar këtu edhe grintën e Murataj ndaj Skënderbeut që solli edhe përmbysjen e përkohshme të rezultatit. Goxha realizoi një magji të vërtetë me rrofeshat, duke fituar duartrokitjen e të gjithëve. /Sport Ekspres/

Formacioni më i mirë i javës: Moçka, Fangaj, Malota, Goxha, Gurishta, Bregu, Shehu, Gripshi, Murataj, Nabueze, Krasniqi