“Na ndiqnin tifozët e Partizanit dhe Tiranës në Europë”! Haris Fakiç: Tirana e vetmja që përsërit Skënderbeun

Nga Klaudio Ndreca

Në Skënderbeun që bëri shumë arritje historike në Europë, një dorë erdhi edhe nga Haris Fakiç. Ky ishte njeriu që bënte lëvizjet e lojtarëve te korçarët, duke goditur gjithmonë me nuhatjet e tij për futbollistët.

Teksa kujton ato kohë kur Skënderbeu shkoi në grupet e “Europa League”, Fakiç shprehet se të gjithë tifozët e futbollit shqiptar u bënë bashkë për ta përkrahur. Ndërkohë si të vetmen skuadër për të kapur dhe ndjekur rrugën e suksesit në Europë, gjen Tiranën. I pranishëm në “Fan Zone”, menaxheri i njohur ka shpresa për rritjen e futbollit shqiptar.

“Tirana është klubi i vetëm që unë e shikoj me potencial dhe që të përsëris Skënderbeun. Pasi të jem i sinqertë kur kam shkuar unë te Skënderbeu projekti ishte ngritur në gjysmën e tij. Duhet të kesh plane për të ardhmen dhe Takaj është një president i mrekullueshëm. Ka një dashuri dhe njohje të madhe për futbollin.

Në ato kohë kur ishim në Europë, na ndiqnin edhe tifozët e Partizanit dhe Tiranës. Në vitin e shkuar nuk kishim një paraqitje dinjitoze në Europë, se po eliminoheshim që në tur të parë. Për këtë arsye nuk ndodhin edhe transferimet e bujshme në futbollin shqiptar.

Por më vjen keq se potenciali aty është i madh. Përshembull në infrastrukturë është investuar shumë në Shqipëri dhe Kosova do vërtet shumë vite që të kapi Shqipërinë në këtë drejtim. Edhe në Maqedoni ka probleme me infrastrukturën. Por në Shqipëri është investuar tepër dhe është përmirësuar ky drejtim. Sa i përket talenteve, Kosova i ka me bollëk dhe do të vazhdojë të nxjerrë lojtarë si Rashica, Muriqi, Berisha e shumë të tjerë”, u shpreh Fakiç. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *