Muzaka: U riktheva në shtëpi, dua titullin

0

 

Gjergji Muzaka rikthehet te Tirana, ndërsa siç e pohoi vetë mesfushori 30-vjeçar shprehet se u rikthye në shtëpi. Pas 5 vjetësh, që nga 2010-ta kur lojtari u largua nga bardheblutë, ai ka provuar të veshë fanellën e Dinamos, Skënderbeut dhe Flamurtarit, duke fituar edhe trofe të rëndësishëm. Gjergji Muzaka, i cili më parë ka qenë edhe pjesë e Kombëtares sonë të futbollit mund të konsiderohet si një nga futbollistët më të shëtitur të kampionatit shqiptar, ku ka provuar të veshë fanellat e të tria skuadrave të kryeqytetit, por edhe të Skënderbeut dhe Flamurtarit.

-Pas 5 vitesh “migrim” riktheheni te Tirana…

-Erdhi momenti që unë të kthehem në shtëpi, duke i dhënë fund kështu edhe shtegtimit tim në disa skuadra të Superligës. Jam shumë i lumtur për këtë transferim. Dua të falënderoj edhe skuadrat që kam bashkëpunuar më parë, ndërsa jam i kënaqur që te Tirana e gjeta derën e hapur.

-Ndiheni borxhli ndaj Tiranës?

-Mendoj se çdo futbollist që ka veshur fanellën e Tiranës ndihet i tillë ndaj këtij klubi. Pavarësisht se kush ka fituar e kush jo, e ka ndjerë ngrohtësinë dhe atmosferën që të ofron kjo skuadër. Kur largohesh dhe rikthehesh më pas, sigurisht që ndihesh borxhli.

-Keni kontaktuar me Partizanin?

-Jo. Në asnjë moment nuk kam folur me askënd te Partizani. Që në bisedën e parë që pata me presidentin Halili vendosa që të transferohem te Tirana.

-Sa ka ndryshuar Tirana nga 2009-ta, vit që ju keni dalë kampion me bardheblutë?

-Unë dhe Devi, tashmë Drejtor Sportiv, jemi nga ata lojtarë që kemi dalë kampion herën e fundit me fanellën bardheblu. Shpresoj të kemi këmbën e mbarë dhe të gjithë së bashku të përsëritim atë sukses të Tiranës së lavdishme.

-Sa afatgjatë është kontrata që do të nënshkruani me Tiranën?

-Para se të nënshkruajmë kontratën në letër, kemi një marrëveshje morale me njëri-tjetrin. Kjo do të ketë afat, për aq sa kohë që të dyja palët të jenë të kënaqura nga bashkëpunimi.

-E vërtetë është që keni qenë tifoz që i vogël me Tiranën?

-Jo vetëm kur kam qenë i vogël, por edhe kur u rrita vazhdoja të isha tifoz i Tiranës.

-Si erdhi divorci me Flamurtarin?

-Gjithçka ndodhi në një moment kur skuadra nuk po arrinte atë që pritej. Ishim larg pritshmërive dhe faktori kryesor jemi ne lojtarët. U krijua një situatë, që kontrata të prishej shumë miqësisht dhe me mirëkuptim të dyanshëm.

 

“Endacaku” Muzaka, ndër më të shëtiturit në Superligë

Karrierën e tij, Gjergji Muzaka e nisi te Partizani, ndërsa ka qenë pjesë e akademisë së të kuqve. Pas tre sezonesh me ekipin që e “lançoi” në tregun e futbollit shqiptar, mesfushori provoi në 2004-ën të luante në Greqi për Iraklisin, ku qëndroi për një sezon, ndërsa për shkak edhe të moshës nuk pati shumë hapësira. Më pas u rikthye sërish te Partizani, ku nga 2005-a deri në 2008-ën, në 106 takime realizoi 23 gola. Në fund të 2008-ës u transferua te Tirana, ndërsa në 2009-ën fitoi titullin e parë në karrierë, kampionatin shqiptar me fanellën bardheblu. Pas dy vitesh qëndrim, Muzaka provoi të përfaqësonte edhe ngjyrat e Dinamos, ndërsa momenti i largimit të tij nga bardheblutë u arrit pas disa tratativash të vështira dhe të stërgjatura, pasi ishte Tirana ajo që kërkonte të mos privohej nga shërbimet e lojtarit. Pas 1 viti qëndrimi te Dinamos, Muzaka do të vazhdonte “shtegtimet” e tija sa në Korçë dhe në Vlorë, ndërsa me Skënderbeun fitoi dy tituj kampion në sezonet 2011-2012 dhe 2013-2014. Në verën e kaluar, tashmë në prag të ditëlindjes së tij të 30-të, mesfushori kaloi te Flamurtari, ku pas vetëm 6 muajsh u rikthye te Tirana, për të provuar edhe një herë të fitojë titullin kampion.

 

Pagesa deri në fund të sezonit, 33.5 mijë euro

 

Gjatë prezantimit të djeshëm të Gjergji Muzakës te Tirana, në asnjë moment nuk është përmendur shifra e saktë e këtij operacioni. Megjithatë, burime pranë klubit bëjnë me dije se mesfushori do të përfitojë 5.5 mijë euro në muaj, çka do të thotë se deri në qershor, vlera e transferimit kap shifrën e 33.5 mijë eurove.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.