Musta: Në fushë për të fituar, me pagat e njëjta histori!

Flamurtari do të përballet me Partizanin pasditen e nesërme, një sfidë që vlonjatët e luajnë në shtëpi. Në kuadër të takimit, përpara mediave kanë folur Emiliano Musta dhe Andi Ribaj. Fillimisht ka folur Musta, i cili përveçse takimit të nesërm u pyet edhe për pagat.

PËRBALLJA ME PARTIZANIN – “Është një ndeshje mjaft e vështirë, pasi luajmë me vendin e parë. Do mundohemi të arrijmë fitoren në këtë takim, pasi një tri pikësh na ndihmon shumë për të hedhur një hap të sigurt për Evropën. E parashikoj një ndeshje të vështirë dhe do të jetë një sfidë e bukur për t’u parë dhe për t’u luajtur.”

E KËNAQ FLAMURTARIN NJË BARAZIM – “Nëse jemi të kënaqur me një barazim do ta themi në fund të ndeshjes, sepse varet se si do të shkojnë 90 minutat. Ne hymë për të fituar dhe për tri pikët.”

PIKA MË E FORTË E KUNDËRSHTARIT – “Partizani pikën më të fortë ka grupin. Nuk është se ka ndonjë individ që ka bërë diferencën, njësoj si ne që kemi grupin pikën më të fortë. Besoj që do të jetë një ndeshje e fortë dhe mjaft e luftuar.”

PAGAT – “Për pagat vazhdon e njëjta histori. Ne jemi në pritje. Ne jemi aktorët në fushë dhe për gjërat e tjera nuk kemi gjë në dorë. Tani po vjen fundi dhe çdo gjë do ndahet. Shpresoj të paguhemi, pasi me këtë punë mbajmë familjet. Ne jemi profesionistë dhe kemi dhënë gjithmonë më të mirën dhe nuk është gjë e mirë që kemi kaq muaj pa rroga. Kemi dhënë 100% në fushë dhe shpresojmë që drejtuesit të na e shpërblejnë.”

Më pas, ka folur edhe Ribaj, i cili u ndal te incidentet e nodhura në fazën e tretë. Gjithashtu, sulmuesi thkesoi se Flamurtari luan për tri pikët dhe se do të provojë deri në fund të ruajë vendin e tretë.

INCIDENTET E NDODHURA NË FAZËN E TRETË – “Ndeshja e fazës së shkuar është mbyllur atje. Nuk dua dhe shpresoj që mos të përsëriten të njëjtat gjëra. Tifozët e Flamurtarit nuk duhet të bëjnë diçka të tillë si tifozët e Partizanit, pasi dënojnë veten e tyre dhe ekipin. Nuk duhet që këto gjëra të ndodhin në fushën tonë.”

NDESHJA – “Partizani nuk e ka siguruar titullin matematikisht dhe ne jemi në luftë për një vend në Europë. Do të bëjmë maksimumin të marrim tri pikët, ashtu si në të gjitha ndeshjet që kemi luajtur deri tani.”

MUNGESAT E TELUSHIT DHE TRAJNERIT GEGA – “Telushi dhe trajneri kanë rëndësinë e tyre në ekip, por Partizani e ka treguar që di si ti përballojë këto situata edhe pa lojtarët kryesorë.”

VENDI I TRETË – “Besoj se do të jemi në vend të tretë. Do i marrim ndeshjet një e nga një edhe këto pesë që kanë ngelur. Grupin dhe të gjitha i kemi dhe shpresoj që të arrijmë objektivin që kemi vendosur të gjithë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *