Musta kuqezi: Me Flamurtarin, në majat e futbollit shqiptar

Mesfushori elbasanas nënshkruan një kontratë 1+1 dhe është i bindur se ka bërë lëvizjen e duhur për karrierën. Synon menjëherë trofe me fanellën kuqezi

Elton Nika

Flamurtari ka zyrtarizuar dje blerjen e pestë në merkaton e verës, duke qenë kështu ndër skuadrat më aktive në këtë drejtim. Elbasanasi Emiljano Musta ka firmosur me vlonjatët, ashtu siç “Sport Ekspres” ka bërë me dije disa ditë më parë. Mesfushori 25-vjeçar, i cili ishte pjesë e Teutës, është tashmë zyrtarisht pjesë e Flamurtarit për një sezon, me të drejtën e zgjatjes së kontratës edhe për një vit. Pas prezantimit me fanellën kuqezi, Emiljano Musta ka dhënë intervistën e parë si lojtar i Flamurtarit, ku ka theksuar se ka bërë lëvizjen e duhur për karrierën e tij.

– Musta, suksese në aventurën tuaj të re! Pse vendosët të bashkoheni me Flamurtarin?

– Ju falënderoj për urimin! Shpresoj që gjithçka të shkojë mbarë për mua dhe për Flamurtarin. Vendosa të vij në Vlorë, sepse më bindi trajneri Shpëtim Duro dhe projekti, që kanë drejtuesit e Flamurtarit për këtë sezon. E shoh si një projekt shumë të mirë dhe shpresoj që Flamurtari të jetë aty ku duhet, ku e ka vendin ky emër dhe kjo fanellë e rëndë në futbollin shqiptar.

— Në skuadrën tuaj të re konkurrenca do të jetë e madhe. Ju tremb ky fakt?

– Asnjëherë nuk më tremb konkurrenca. Mendoj se konkurrenca është diçka pozitive në futbolli dhe në një skuadër si Flamurtari. Shpresoj të jap kontributin tim për që Flamurtari dhe të gjithë ne si skuadër e klub kërkojmë për sezonin e ri.

– Trajneri Duro ju kërkoi me ngulm. A e rrit ndoshta pak presionin kjo gjë për ju?

— Jo, jo, aspak. Patjetër që këtë vlerësim dua t’ia shpërblej në fushë, në çdo moment që trajneri do të vendosë. Jam këtu për të luajtur në një skuadër si Flamurtari dhe nuk mendoj se presioni do të rritet dhe do të më krijojë probleme.

– Dy vitet te Teuta jua kanë ndihmuar jo pak, pasi ju kanë vlerësuar si një mesfushor cilësor…

– Vlerësimet janë gjithmonë pozitive. Padyshim që dy vitet te Teuta kanë qenë mjaft pozitivë në aspektin personal dhe mendoj se kishte ardhur momenti, që të bëja një tjetër hap në karrierën time, një hap më të madh. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, duke ardhur te Flamurtari. Ky është një hap cilësor për mua, ndërsa Teutës i jam mirënjohës.

– Çfarë objektivash keni për sezonin e ri me Flamurtarin?

– Ne aspektin personal, dua të jap gjithmonë maksimumin në fushë për skuadrën. Me Flamurtarin kam besim se do të arrijmë  objektiva të rëndësishëm. Them se Flamurtari do të jetë në vendin që meriton, në majat e futbollit shqiptar.

— Për sa kohë keni firmosur për Flamurtarin?

— Kontrata ime është për një vit, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër sezon. Natyrisht, e rëndësishme është që të dyja palët të bëjmë më të mirën këtë sezon, pastaj në fund do të ulemi dhe  do të vendosim. Shpresoj të qëndroj sa më gjatë te Flamurtari.

 

 

 

Afrimet e deritanishme te vlonjatët

1.Ditmar Bicaj (mbrojtës)

2.Goran Siljanovski (mbrojtës)

3.Adis Nurkoviç (portier)

4.Ardit Hoxhaj (sulmues)

5.Emiljano Musta (mesfushor)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *