Musta i hapur: Pata dy oferta, me Dajën vjen… titulli

Flamurtari ka nisur nga puna për edicionin e ri dhe kërkon që me çdo kusht të evitojë ato gabime që i bën gati çdo sezon. Ditë më parë rinovuan dy nga lojtarët Emiljano Musta dhe Muhamet Useini, të cilët nga klubi u konsideruan të domosdoshëm për edicionin e ri.
Për “Sport Ekspres”, Emiljano Musta zbulon pritshmëritë e tij për të ardhmen. Fillimisht ai tregon se po pret nisjen e përgatitjeve me skuadrën e Flamurtarit. “Planet e mia dihen tashmë. Jemi në pritje të sezonit të ri dhe të fillimit të përgatitjeve me ekipin. Siç dihet jam sërish pjesë e Flamurtarit. Shpresoj të vazhdoj me paraqitjet e mira dhe të arrij të ndihmoj sa më shumë ekipin në arritjen e objektivave”.

Musta ka pasur ofertë edhe nga Kukësi, por ai zbulon dhe një tjetër propozim që i është bërë nga një klub i Superiores. “Është e vërtetë që pata

bisedime me ekipet që luajnë në Kupat e Europës, siç janë Kukësi dhe Laçi. Por bisedimet nuk shkuan siç i prisja dhe normalisht oferta dhe dëshira ime për të vazhduar te Flamurtari ishte e madhe. Futbollit si dihet kurrë dhe e ardhmja është gjithmonë mister”.

Autori i katër golave këtë edicion komenton dhe merkaton afrimin e trajnerit Daja: “Siç të gjithë e dimë, është një trajner që ka fituar trofe në të gjitha ekipet ku ka drejtuar. Shpresoj që me ardhjen e profesor Dajës, edhe titulli të vijë në Vlorë këtë vit. Merkato? Nuk jam në brendësi të merkatos së ekipit, pasi ne jemi të gjithë me pushime pranë familjeve tona. Jam i sigurt që merkato në ekip është duke vazhduar në ritëm të lartë, por pa shumë zhurmë. Besoj se drejtuesit po merren me gjithçka, në mënyrë që ekipi të jetë gati kur të fillojmë përgatitjet”.

Në edicionin e shkuar elbasanasin e kemi parë që të aktivizohet si mbrojtësi i majtë dhe ai vetë e pranon se është ndjerë mirë në këtë pozicion. “Është e vërtetë që kam luajtur në 2-3 pozicione gjatë karrierës sime dhe nuk kam ndonjë vështirësi kudo që të luaj. Vjet kam bërë një sezon në nivel të lartë si mbrojtës i majtë. Do doja të vazhdoja si i tillë, por gjithsesi për mua s’ka problem se ku luaj, mjafton të jap më të mirën time për ekipin”, përfundoi Musta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *