Musta flet pas golit të parë: Tani duam fitoren në kampionat

Emiljano Musta mund të quhet një zbulim te Flamurtari i sezonit të ri. Jo se nuk njihej, sepse tashmë ka fituar goxha eksperiencë dhe sezoni i fundit e konfirmoi përfundimisht. Këtë verë transferimi në Vlorë dhe menjëherë ndër më të spikaturit, duke shënuar në miqësore, por edhe dje në kupë.

“Pata disa oferta, por zgjodha Flamurtarin pasi është një ekip me tradita, që njihet në futbollin shqiptar. Për të bërë një hap përpara në karrierë mendoj se është ekipi i duhur”, deklaron Musta, duke folur për Supersport.

Dje erdhi goli i parë sezonal: “Më shumë se goli jam i kënaqur për fitoren e ekipit, për lojën që bëmë të gjithë si grup, pasi siç dihet jemi një ekip i ri dhe po mundohemi të konsolidohemi sa më shpejt. Personalisht do jap maksimumin sa herë të më jepet mundësia”.

Humbja në Korçë duhet harruar sa më shpejt: “Gjithmonë humbjet janë të vështira, por duhet të vazhdojmë përpara. Shumë shpejt vjen ndeshja e radhës. Do kërkojmë fitoren me të gjitha mënyrat me Lushnjen, pasi mbetet një ndeshje shtëpiake për ne. Trajneri Duro ka shumë eksperiencë në futbollin shqiptar, ka vite që trajnon. Është një trajner mjaft pozitiv, punëtor, kërkon maksimumin nga çdo lojtar dhe besoj ia ka arritur me grupin që ka krijuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *