Musolli: Kurrë probleme të tilla, dua të qëndroj këtu!

Dëmtimet kanë qenë një problem madhor te Kukësi këtë sezon. Besar Musolli është një nga ata që e ka vuajtur shumë këtë pjesë, pasi për gati 7 muaj qëndroi jashtë fushave të blerta. Probleme kanë kaluar edhe disa lojtarë të tjerë dhe mesfushori shprehet në konferencën për shtyp se kurrë nuk e kishin hasur një situatë të tillë, që sipas tij solli edhe diferencën me Partizanin.

“Sa kam unë te Kukësi, nuk kemi qenë kurrë me kaq probleme në një sezon. Kaq shumë dëmtime e probleme janë një arsye e madhe për distancën nga kreu. Në fillim të vitit ishim në rregull, por më pas ishin të papritura shumë dëmtime”, u shpreh Musolli.

Më tej ai flet për ndeshjen me Skënderbeun: “Është ndeshje e rëndësishme, është rival historik prej vitesh dhe ndeshjet me ta kanë qenë shumë të luftuara”. Kupa më pas është në fokus: “Mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, ka kohë për finalen. Duam 3 pikë qetësie”.

Musolli e ka fituar edhe më parë Kupën me Kukësin, madje duke shënuar penalltinë e fundit në finalen ndaj Laçit. “E kam fituar edhe më parë, shpresoj ta fitojmë sërish. Jemi në një moment të mirë”, tha mesfushori, i cili ndaj Skënderbeut do të mbajë edhe shiritin e kapitenit në mungesë të Shametit.

Mesfushori pyetet edhe në lidhje me të ardhmen e tij te Kukësi: “Për momentin mendojmë ta mbyllim sezonin me sukses. Unë dua të qëndroj, është shtëpia ime. Gjithsesi nuk i dihet të ardhmes”. Në fund Musolli ndan mendimin e tij edhe në lidhje me stadiumin: “Kam qenë i mendimit që të luajmë gjithnjë në Elbasan. Për mua në Kamzë nuk janë të gjitha kushtet, por për shkak të tifozerisë luajmë aty”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *