Murinjo lë Junajtidin në verë

Trajneri i “Djajve të kuq” nuk sheh më të ardhme në “Old Trafford”. Shpenzon shumë më pak kohë në Mançester. Portugezi ka kritikuar dhe politikën e blerjeve të klubit

Në zyrat e Mançester Junajtidit në “Old Trafford” është shtuar gjithnjë e më shumë frika për një largim të mundshëm të trajnerit Zhoze Murinjo në mbyllje të sezonit. Zërat e para disa muajve kanë nisur të konfirmohen pak e nga pak dhe trajneri portugez ka dhënë shenjat e para se orët e tij në “Old Trafford” janë drejt fundit pavarësisht kontratës deri në vitin 2019. Lajmi është bërë me dije nga gazeta britanike “daily Mail” që nënvizon se në Mançester kanë nisur të ndiejnë se Murinjo nuk është më ai i ditëve të para dhe frika për largimin e tij po shtohet dita-ditës. Ndërkaq, zëra të tjerë nga brenda klubit bëjnë me dije se Murinjo dhe Mançesteri duken si dy gjëra të shkëputura, por që vetëm për arsye profesionalizmi qëndrojnë si një e vetme. Portugezi duket i mbyllur gjithnjë e më shumë rreth stafit të tij të ngushtë, teksa ajo që shqetëson më shumë është se ai vazhdon të shpenzojë gjithnjë e më pak kohë në Mançester. Ai zgjedh vazhdimisht të udhëtojë drejt Londrës ku qëndron familja e tij. Natyrisht që në “Old Trafford” askush nuk e vë në diskutim angazhimin e Murinjos tek Junajtid, qasjen e tij ndaj klubit dhe profesionalizmin e tij në punë, por udhëtimet e shpeshta drejt Londrës kanë nisur të krijojnë shqetësime në radhët e drejtuesve të Mançesterit. Murinjo udhëton shpesh me tren drejt Londrës, por ndonjëherë ai merr dhe avion privat siç ndodhi me rastin e Krishtlindjeve. Disa pjesëtarë të klubit të Mançesterit kanë ngritur pikëpyetje për se familja e tij, në veçanti bashkëshortja Matilde nuk e ka ndjekur Murinjon në Mançester. Nëse rezultatet e Mançester Junajtidit do të kishin qenë më pozitive se ato të Sitit, këto lëvizje të shpeshta të Murinjos në aksin Mançester-Londër nuk do të kishin krijuar shqetësime në “Old Trafford”. Por jeta nën hijen e Pep Guardiolës nuk duket dhe aq e këndshme për Murinjon dhe portugezi e ka të vështirë të mbaientohet me këtë realiëtet të ri. Për më shumë duke parë përsëri Guardiolën që qëndron mbi të! Nëse krahasohet Murinjo me Van Galin, natyrisht që Junajtidi aktual ka një ecuri shumë më pozitive si në rezultate, lojë dhe trofe. Por të paktën van Gal vlerësohej shumë për faktin se ai ishte i dhënë pas Mançesterit dhe jetës në këtë qytet. Van Gali zhvendosi të gjithë familjen e tij në Mançester, Murinjo nga ana tjetër vazhdon ta mbajë familjen e tij në Londër, tregues që në Angli vlerësohet si diçka jo fort pozitive. Për anglezet Murino e cilëson punën tek Junajird vetëm si të përkohshme nisur nga një interpretim i thjeshtë i këtyre fakteve. Por fakt është se Murinjo nuk është dhe shumë i kënaqur me atë çfarë po bën klubi për lojtarët. Portugezi ka qene vazhdimisht kritik për politikën e blerjeve të Mançesterit, duke deklaruar hapur se afro 300 milionë sterlinat e shpenzuara deri më tani nuk janë të mjaftueshme për të thyer dominimin e Sitit. Murinjo sulmoi ashpër lojtarët e tij pas barazimit kundër Lesterit, sulmoi edhe më ashpër një legjendë të klubit si Pol Skols vetëm pak ditë më parë pas barazimit me Sauthemptonin. Nervozimi i tepruar i Murinos ka nisur të kthehet në problem. Ndoshta portugezi po provokon një vetëlargim nga Junajtid me trenin që ndoshta mund të mos ndalet në Londër, por të kalojë La Manshin me stacion fundor Parisin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *