Murinjo dhe “lojërat e mendjes”: Liverpuli nuk ka justifikime, Klop duhet të fitojë titullin

Zhoze Murinjo beson se Liverpuli do të jetë nën presion të jashtëzakonshëm, pas shpenzimeve kolosale të kësaj vere, ndërsa ka vazhduar ngacmimet dhe “lojërat e mendjes”, duke thënë se ndryshimi i Jyrgen Klopit në politikat e transferimeve është “komik”.

Klop para pak kohësh tha se shpenzime 100 milionë për një lojtar janë jashtë realiteti dhe se nuk do të vepronte kurrë ashtu, por këtë verë ka shpenzuar shifra të mëdha, përfshirë rreth 70 milionë euro për portierin Alison, që është tashmë portieri më i shtrenjtë në botë.

Kjo gjë ka bërë Murinjon të reagojë, ndoshta edhe si një kundërsulm për faktin se Junajtid vetë nuk po blen askënd.

“Mendoj se nëse ke paratë, nëse investon mirë, është më mirë sesa t’i mbash në bankë, sepse interesat janë shumë të ulëta. Problemi është se duhet të investosh mirë dhe mendoj se Liverpuli ka investuar shumë mirë, sepse ka blerë lojtarë shumë cilësorë. Jam i lumtur për ta.

“Jam gjithashtu i lumtur dhe buzëqesh kur kujtoj komentet e Klopit dhe shoh se ka ndryshuar mendim, ka ndryshuar si njeri, është për të qeshur. Nuk ka problem, por ndoshta këtë sezon do t’i kërkohet të fitojë. Mendoj se tashmë nuk ka më justifikime.

“Skuadra, me investimet e sezoneve të fundit, është e jashtëzakonshme, të paktën në aspektin e shpenzimeve. Për një skuadër finaliste në Champions League, është detyrim të jetë kandidat për titull, ta fitojë atë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *