Murinjo bën gati revolucionin: Disa lojtarë nuk janë në lartësinë e duhur

Zhoze Murinjo ka dhënë një tjetër sinjal se është i pakënaqur me skuadrën që ka në dispozicion dhe në verë planifikon ndryshime të mëdha, gjithnjë nëse Junajtid e mbështet.

Sipas portugezit, disa lojtarë janë tepër të dobët psikologjikisht për të triumfuar në Old Trafford, ndërkohë që ka evidentuar edhe faktin anormal që Junajtid ka mundur skuadrat e kreut dhe është mundur nga tre skuadrat debutuese, cka tregon se skuadra e tij nuk ka qenë aty ku duhet mendërisht.

Junajtid është 17 pikë pas Mançester Sitit dhe Murinjo e pranon se duhet një përmirësim i madh, mendor dhe cilësor, për të mbyllur hendekun: “Na duhen të dyja. Distanca me Sitin nuk është 3-4 pikë, është shumë e madhe, ndaj na duhen shumë gjëra. Disa prej lojtarëve që kam nuk janë të qëndrueshëm në paraqitjet e tyre, si dhe na duhen përforcime cilësore.

“Te disa lojtarë kam më shumë besim, është normale, sepse i njoh shumë mirë, kam vite që punoj me ta. Natyrisht, ka edhe lojtarë që jam i bindur se mund ta hedhin hapin e madh në aspektin psikologjik, por disa lojtarë nuk besoj se do t’ia dalin dhe duhet të largohen”.

Gjithsesi, Murinjo e pranon se nuk është aq e lehtë që të largosh lojtarë, duke thumbuar edhe Pep Guardiolën në këtë drejtim: “Ka raste kur je i detyruar t’i mbash disa lojtarë, edhe nëse nuk të pëlqejnë. Nuk e kanë të gjithë trajnerët luksin që të blejnë portier, të mos u pëlqejë dhe të blejnë një tjetër; të blejnë një qendërmbrojtës, pastaj një tjetër e një tjetër. Nëse bën kështu, mund të ndërtosh skuadrën perfekte, por nuk është e mundur për shumicën e trajnerëve në Premier Ligë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *