Mungojnë Radas-Osmani, risia Sahiti në formacion

Kroati duket se nuk do t’ia dalë dhe gjasat janë ta nisë nga stoli. Kosovari Suad Sahiti është e sigurt që luan nga starti

Dy ditë para ndeshjes së dytë në grup për Europa League, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, thuajse e ka zbardhur formacionin dhe skemën taktike. Këtë gjë e ka bërë në seancën e djeshme, teksa janë zbuluar mungesat, rikthimet dhe risitë në formacion. Sigurisht, dy mungesa të sigurta tashmë janë ato të Tefik Osmanit dhe Marko Radasit, dy lojtarë të prapavijës, ndërkohë që rikthime janë ato të Bakari Nimagës dhe Bajram Jashanicës.

Risia në formacion është edhe ajo e Suad Sahitit, lojtarit që duket se ka një tjetër shans për të treguar vlerat e tij në ndeshjet europiane. Pjesa tjetër janë thuajse të njëjtët dhe trajneri Daja është munduar të bëjë pak rotacion, pasi Skënderbeut i duhet fitorja ndaj Jang Bojs.

RADAS – Tefik Osmani prej ditësh është mësuar se do të mungojë, pasi nuk është riaftësuar plotësisht dhe nuk do të rrezikohet. Një mungesë e papritur është ajo e kroatit me mjaft përvojë, kMarko Radas, i cili po stërvitet veç grupit, për shkak të një problemi shëndetësor. Pritej që dje të ishte me grupin, por sërish nuk ia doli. Ka pak shanse që Radas sot të jetë me skuadrën në stërvitje dhe maksimumi mund ta nisë nga stoli ndeshjen e radhës. Ndoshta kjo ndeshje do të kalojë pushim për Radasin. Në vendin e tij do të jetë Fidan Aliti, i cili në dy ndeshje zëvendësoi Jashanicën në mbrojtje dhe tani do të duhet të jetë zëvendësi i Marko Radasit.

RISIA – Për takimin e mbrëmjes së nesërme në “Elbasan Arena”, risia e madhe do të jetë ajo e Suad Sahitit. Në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit ai nuk ishte pjesë e formacionit, por ka ardhur momenti që të zbresë në fushë nga minuta e parë dhe ta tregojë veten në krahun e majtë të mesfushës, ku luante më parë Liridon Latifi. Suadi ende nuk është përshtatur 100% me skuadrën, por këto ndeshje si titullar i bëjnë mirë dhe ka shanset e veta që të vërtetojë se erdhi te Skënderbeu për të zëvendësuar Liridon Latifit. Jong Bojs është një tjetër provë e madhe për mesfushorin e krahut të Skënderbeut.

FORMACIONI – Me këto ndryshime që ka bërë Daja në stërvitjet e fundit, skema e lojës do të jetë 4-2-3-1. Për emrat në fushë duhet thënë se gjithçka nis me kapitenin Orges Shehi, i cili dy ditë më parë mbushi 40 vjeç. Në mbrojtje luajnë Kristi Vangjeli, Gledi Mici, Bajram Jashanica dhe Fidan Aliti. Në mesfushë, dyshja Lilaj-Nimaga është e pandarë, pasi të dy lojtarët janë në formë dhe kanë treguar se janë titullarë të padiskutueshëm. Përpara tyre në krahë do të jenë Gavazaj dhe Sahiti, kurse pas sulmuesit Soue do të luajë Xhejms. Pritet shumë nga sulmi në këtë ndeshje, aq më tepër që Ali Soue u zhbllokua ndaj Partizanit, ku shënoi golin e parë. Kjo është 11-shja e Skënderbeut për ndeshjen e nesërme, por “vula” do të vihet pas seancës së fundit stërvitore, që do të zhvillohet sot, në stadiumin “Elbasan Arena”.        

Formacioni i mundshëm, 4-2-3-1

 Shehi – Vangjeli, Jashanica, Aliti, Mici – Lilaj, Nimaga – Gavazaj, Xhejms, Sahiti – Soue

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *