Mungesë komunikimi dhe frikë nga Panuçi, kuqezinjtë ndihen nën presion!

 

Anton Cicani

Indicet e para i dha menjëherë pas konferencës pas humbjes me Norvegjinë, në “Elbasan Arena”, por ndoshta shumëpak ia vunë veshin. Frika më e madhe e Kristian Panuçit është materializuar… Trajneri i Shqipërisë priste pikërisht një paraqitje edhe më të dobët të kuqezinjve në miqësoret e fundit në kuadër të ndeshjeve kualifikueseve për Europianin 2020 dhe sidomos Ligës së Kombeve. Motivi? “Kam frikë se futbollistët do të vijnë edhe më shumë të pamotivuar dhe me mendjen te pushimet, pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm. Ndoshta, këto miqësore nuk kanë asnjë vlerë, të jemi realist”, do t’iu drejtohej ai gazetarëve në një bisedë larg kamerave. Dhe, profecia e tij ka rezultuar e vërtetë. Por, ajo që habit është fakti që kombëtarja kuqezi, në 90 minuta bëri vetëm një goditje në kuadratin e Kosovës, me Abazajn, në fund. Shumë pak, për të mos thënë, aspak, për një grup futbollistësh që sigurisht nuk janë talentet më të mëdhenj, por që nuk mund të quhen as më të dobëtit. Sepse, nëse shkon sheh ekipet ku aktivizohen (për ata që luajnë), nuk janë të dorës së katërt… E megjithatë, asgjë nuk ka shkuar, ashtu si vetë italiani ka thënë.

Tone të larta – Menjëherë pas ndeshjes, “Sport Ekspres” ka mësuar nga burime të sigurta brenda grupit se trajneri Panuçi i është drejtuar dhomave të zhveshjes dhe ka pritur futbollistët, që pasi kanë shuar etjen dhe kanë ngrënë diçka për të rimarrë energjitë, janë ulur të dëgjojnë. “Keni luajtur pa zemër, pa grintë, pa shpirt gare dhe sakrificë. Nuk mund ta besoj se jeni ju këto. Duhet të jepnit shumë më shumë se kaq, për të vetmin fakt se jemi këtu duke përfaqësuar një komb”… Italiani përdori tone të forta, aq sa britmat u dëgjuan edhe jashtë në tunel. Asnjë kundërshtim, sigurisht, nga kuqezinjtë. Një bisedë që zgjati rreth 15-20 minuta, ndërsa më pas u fol edhe pak për lëvizjet në fushë dhe për kaosin e krijuar. Sigurisht, asnjë gisht kundër askujt, por në tërësi grupit.

Terror – Stërvitja e djeshme në Zvicër ka nisur me një analizë të shkurtër, pa video të ndeshjes, por me koncepte që trajneri kishte shprehur edhe pas humbjes. “Nuk mund të jeni ju ato që pashë në fushë. Nuk pashë ata futbollistë që stërvis dhe që kam njohur e njoh. Pres maksimumin nga të gjithë ju në ndeshjen tjetër”. Më pas, seanca është zhvilluar si rregullisht. E megjithatë, nëse problemi i vetëm do të ishte ndeshja me Kosovën, sigurisht që gjithçka do të kalonte në plan të dytë. Por, “Sport Ekspres” ka pasur kontakte me shumë futbollistë, që sigurisht kanë shpjeguar se harmonia e dikurshme në skuadër nuk është prishur sepse ka grupime apo përçarje, por sepse shumica kanë frikë të gabojnë, për shkak se kritikat dhe akuzat e trajnerit janë një terror më vete. Një diktaturë e vërtetë e Panuçit, në çdo aspekt. Madje, një batutë e bërë pikërisht nga një futbollist është e tipit “edhe miza kur kalon, duhet të kërkojë leje te trajneri…”.

Madje, më të rinjtë, shpesh janë të terrorizuar dhe kanë frikë të guxojnë, të bëjnë gjërat që i vijnë më lehtë, sepse gabimi do të ishte më pas një analizë me tonë të forta. Jo vetëm kaq, por futbollistët ankohen edhe për metodën e punës, e cila shumë ndryshe nga ajo e De Biazit, i cili përdorte komunikimin si mjet për të unifikuar skuadrën. Por, ka edhe më shumë në këtë histori: eksperimentet e shumta. Në një grup me 30 futbollistë të provuar, ende nuk janë zgjedhur ato 12-13 elementë cilësorë, që duhet të përshtaten mes tyre. Pra, nuk ekziston ende bërthama dhe Panuçi po bën plot 10 muaj që kur ka nisur punë. Pra, le të themi gati 1 vit. Lojtarët më të vjetër kërkojnë më shumë respekt dhe sidomos mungon figura e një lideri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *