Mungesa dhe presion, në Tiranë luhet për “6 pikë”

Fitorja është e vetmja mundësi për Partizanin dhe Kukësin. Trajnerët qajnë mungesat e titullarëve. Supermacia tregohet në këtë ndeshje

Thuajse çdo javë hasemi me togfjalëshin “ndeshja e sezonit”, apo “fitorja është e vetmja mundësi”. Në fakt, këto shprehje vlejnë më shumë se kurrë sot. Partizani dhe Kukësi do të përplasin brirët sot, prej orës 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të kuqtë kanë mundësinë më të mirë për të bërë njerëzit të besojnë se mund të konkurrojnë në kampionat, ndërsa kampionët kërkojnë të tregojnë se nuk e kanë më kot petkun e kësaj fjale. Një fakt i mirë i ndeshjes është edhe rikthimi i tifo-grupit “Ultras Guerrils”, ata do t’i japin një shije tjetër kësaj sfide. Pa harruar tifozerinë kuksiane. Kuksianet kanë treguar se nuk mungojnë në ndeshjet që ekipi i tyre luan në Tiranë. Të shpresojmë të jetë një atmosferë e zjarrtë.

MUNGESAT – Kjo ndeshje mund të konsiderohet pa frikë edhe si takimi i mungesave të mëdha. Partizani nuk ka dispozicion një numër të konsiderueshëm titullarësh, po ashtu edhe Kukësi. Trajnerët do të mundohen të arnojnë skuadrat e tyre. Mungesa e lojtarëve kryesorë bën që sfida të humbë jo pak nga shkëlqimi, por askush nuk mendon për cilësi apo lojë të bukur, të dy teknikët do të firmosnin për të shënuar gjysmëgoli më shumë se kundërshtari. Të kuqtë nuk kanë në dispozicion Trashin, Bathën dhe Prognin për shkak skualifikimi, Kalarin, Telushin dhe Çanin të dëmtuar. Kukësi do të jetë pa mbrojtje, pasi Shameti dhe Alla janë të dëmtuar. Të dy nuk janë të gatshëm dhe nuk do të jenë pjesë e skuadrës verilindore.

OBJEKTIVAT – Të dy skuadrat synojnë vendin e dytë, pasi mundësia e dënimit të Skënderbeut bën që të luftohet për këtë pozicion në renditje. Kukësi ka mundësinë të kapë Europën edhe përmes Kupës, ndërsa Partizani ka si opsion vetëm kampionatin. Humbja me Kamzën në shtëpi për kampionët ishte si katastrofë, ashtu siç ishte barazimi me Laçin për “demat”. Partizani dhe Kukësi kanë mundësinë të justifikojnë veten në një sezon që është në prag dështimi për kryeqytetasit dhe rrezikon të shkojë drejt asaj rruge për verilindorët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *