“Mund të anullohet Kupa e Shqipërisë”, rrëfimi i Dukës: Nëse nuk nisim deri në 1 qershor le të mbyllet, jam tifoz i Vllaznisë

Nga Klaudio Ndreca

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë një rrëfim të fundit për “E diela shqiptare”. Tema e trajtuar ka qenë pikërisht situata aktuale e futbollit në Shqipëri, që pret ende një dritë jeshile përfundimtare për të nisur stërvitjen fillimisht dhe më pas për të nisur kampionatin. Duka ka prekur edhe pjesën e humbjeve që ka Federata nga kjo mbyllje, duke nxjerrë një shifër e cila shkon shumë më tepër sesa 3 milionë euro. Gjithashtu është përsëritur se objektivi i vetëm është që kampionati të përfundojë në fushën e lojës dhe jo në tavolinë.

“Stadiumi Air Albania është bërë për tifozët dhe duhej të ishte plotë. Por ja që virusi nuk na ka marrë leje dhe duhet të tregojmë kujdes për shëndetin. Në gjithë Europën po diskutohet se kur do të fillohet dhe 80% e saj do të rinis, megjithëse pa spektatorë.

Besoj se brenda kësaj jave do të kemi një pasqyrim më të qartë dhe Qeveria pritet të na jap një përgjigje pozitive dhe mund të nisim në fundin e majit. Protokolli jonë siguron higjenën, faktin se nuk do të ketë spektatorë dhe zyrtarët e ndeshjes duhet që të jenë 5 metra larg njëri-tjetrit, vetëm 4 fëmijë për të mbledhur topat dhe rreth 90 veta që do të jenë për pjesën teknike. Gjithashtu jashtë stadiumit do të jetë forca e rendit, por edhe aty me distanca.

Lojtarët nuk do të ushqehen në stadium, nuk ka dushe kolektive pas ndeshjes dhe mund të spostohet për ta bërë këtë gjë në shtëpi. Risk 0 nuk ka as në një grip normal, por mendoj që me këto masa kemi një rrezik minimal.

Në këtë situatë na kanë lënë jashtë si futboll me pa të drejtë. Mirë fasoneritë, por të shohësh atë të dielën nga liqeni sesi mbushet, që ka më shumë edhe sesa një miting si mbledhje njerëzish…(qesh). Sporti duhej të konsiderohej njësoj si bizneset e tjera, duhej të merrnin një pagë për aktivitetin e ndërprerë si baret, restorantet dhe të tjerat, pasi edhe futbolli është një biznes i ndërprerë me urdhër të shtetit.

Ne kemi dhënë rreth 800 milionë lekë me dy muaj page dhe fatura nuk është e vogël. Janë të ardhura të munguara nga ndeshjet që zhvillonim, nga biletat, nga sponsorizimet, nga reklamat dhe në total mund të shkojë më shumë se 3 milionë euro humbje nga ne.

Humbjet e klubeve? Sigurisht që ne nuk kemi pasur shumë tifozë, por pikërisht në momentin kur po mbushej “Air Albania”, pasi në ndeshjet e Tiranës dhe Partizanit kishte numër të konsiderueshëm, madje derbi shkojë me 20 mijë tifozë.

E mira e garës është që të mbyllet në fushë kampionati, kjo është e mira e të gjithëve. Por në rastin e kundërt, në të gjitha kampionatet do të bëhet fotografimi i javës të fundit, deri në momentin që është mbyllur kampionati. Ekipet e tyre nuk shkojnë direkt në Europë, teksa UEFA do të ngrejë një komision dhe nëse nuk i bind me arsye objektive, atëherë ka të drejtë që të përjashtojnë për mbylljen e kampionatit. Megjithatë në Shqipëri nuk ndodh, pasi kampionati duhet të zhvillohet.

Ndonjëherë mendoj se kjo pandemi ka ardhur vetëm për të dëmtuar futbollin, pasi është dëmtuar shumë. Më e mira për ne do të ishte që kampionati të niste në 20 maj, ose deri në fundin e majit, që të mos kishim shumë ngarkesë.

Si mund të ndryshojë kalendari nëse nisim vonë? Ne kemi të gjitha versionet e mundshme. Në datën 2 maj kërkuam që të nisim stërvitjen, por nuk na dhanë asnjë përgjigje, as pozitive dhe negative. Në atë kohë do të dilnin edhe datat për të mbyllur kampionatet dhe Kupën si ishte programuar. Nëse data mund të jetë më e largët, atëherë mund të bëjmë modifikime.

Duke bërë që të luhen të gjitha ndeshjet e kampionatit, por te Kupa të jetë vetëm një takim. Nëse data nuk do të na e lejojë, atëherë mund të ndodhë që të anullojmë edhe Kupën e Shqipërisë dhe të dërgojmë 4 ekipe nga kampionati në Europë. Kjo pasi ne dërgojmë 3 ekipet e para në renditje dhe fituesin e Kupës, por nëse është e pamundur dhe koha nuk del, do të detyrohemi që ta modifikojmë. Ky është vendim për gjithë Europën, që nëse një Federatë nuk e zhvillon dot Kupën, atëherë e merr vendi i katërt.

Nëse nuk nisin kampionatet deri në 1 qershor, atëherë më mirë themi “STOP”. Kjo pasi do të bëjmë një ndeshje në 48 orë që nuk ka vlerë. Në 6 gusht nisin eliminatoret e Europës dhe ekipet tona duhet të jenë të përgatitura. Skuadra e zemrës brenda Shqipërisë? Unë e kam deklaruar që jam tifoz i Shqipërisë, simpatizant i saj”, tha Duka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *