Muça: Skënderbeu mund të bëhet shembull, por futbolli ynë ka shumë fajtorë

Intervistoi: Olsi Avdiaj

Shkëlqim Muça në 360 gradë! Një nga lojtarët më të mëdhenj bardheblu dhe të Shqipërisë, në një rrëfim të gjatë për “Sport Ekspres” flet për situatën aktuale bardheblu. Nuk kishte si të mos mungonte, në një intervistë me ish-kapitenin, trajnerin, drejtuesin bardheblu, e jo vetëm, edhe futbolli shqiptar. Nga privatizimi, te Asambleja, duke kaluar te bardheblutë, Muça analizon gjithçka. Ja intervista e plotë me Shkëlqim Muçën.  

-Tirana është e para si e shihni këtë kampionat?

Të them të vërtetën, nuk do të futem në detaje, nga ana teknike, pasi ato janë çështje të stafit teknik dhe nuk gjykoj askënd. E kam ndjekur nga larg Tiranën. Po vazhdon rrugën e saj. Është duke hequr qafe sezonin aksidental dhe normalisht, që duhet të luftojë shumë për të qenë në Superiore. Gjithsesi, ka edhe shumë ndeshje dhe mendoj se gjërat do të shkojnë në vendin e duhur. Ishte një vit që nuk duhet të përsëritet dhe vetëm kaq. Të gjithë po të jenë të përqendruar do ta çojnë Tiranën atje ku e meriton.   

-Faza e tretë, si ju duket?

Në fakt është e vështirë të luash me një skemë që të përgjysmon pikët. Do ta nisësh nga e para dhe Tirana duhet të jetë shumë e qetë dhe e përqendruar, që të fitojë çdo ndeshje. Ka fusha të vështira, që duhet të kalohen, por Tirana do të jetë në Superiore atje ku e ka vendin. I ka të gjitha mundësitë të jetë në Superiore dhe të mos e diskutojë ngjitjen te vendi i saj.  

-Jeni pro apo kundër të strategjisë së Tiranës për një ekip që bazohet të afrikanët. Fare mirë mund të bazohet te akademia?

Në fakt Tirana nuk është një skuadër që ka kohë për të rritur lojtarë. Kthimi i saj në Superiore do të thotë, që duhet të ketë një skuadër gati për kompeticionin e madh. Duhet të ketë një skuadër, e cila të tregojë dhe garojë për vendin e parë. Dhe në këtë prizëm i takon drejtuesve të skuadrës të vendosin për strategjinë. Lojtarët nga akademia janë të talentuar, por duan kohë. Kohë që nuk ka një skuadër si Tirana, që kthehet në Superiore për të konkurruar me ekipet e tjera.  

-Projekti për në Superiore, duhet të jetë i studiuar?

Normalisht që po. Nuk duhet të ketë vetëm fjalë, por edhe një klub që të investojë para, por më shumë të investojë në burime njerëzore. Njerëzit janë ata që çojnë përpara një skuadër. Me ide, strategji dhe punë. Pa njerëz dhe pa strategji, por edhe ide e qëllime kaotike, nuk mund të ecë përpara askush. Tirana duhet të ketë një projekt të qartë se çfarë do të bëjë në të ardhmen dhe si do të përballet me Superioren? Sa të do të shpenzojë dhe ku do të rregullojë gabimet e sezonit të shkuar. Një reflektim, që i duhet një skuadre të madhe si Tirana, që e pësoi sezonin e shkuar. Vetëm kështu del nga “kllapia”, Tirana jonë.   

-Ju gjithmonë keni qenë një nga njerëzit që keni folur për një futboll të hapur, por edhe kompetitiv. Është në të mirë të Tiranës të privatizohet tërësisht?

Kjo është një çështje, që realisht ka dy pjesë. Së pari, Tirana është një skuadër pothuajse private. Që do të thotë se aksionari i sotëm ka kontrollin e aksioneve. Pjesa tjetër është akoma e shtetit apo e Bashkive. Duhet të sqaroj se unë nuk jam kundër privatizimit. Jam pro privatizimit me ide të qarta dhe projekte shumë serioze, por që të kontrollohen nga shteti apo Bashkia. Për garanci shoqërore, aseti publik, duhet të ketë kushte të për ata njerëz që duan ta marrin skuadrën. Njerëz që kanë ide për të zhvilluar çdo gjë, duke filluar nga asetet dhe ta mbajnë lart sa më shumë stemën e klubit dhe normalisht ta bëjnë një skuadër sportive më kompetitive.       

-Që do të thotë?

Gjatë kohës së tranzicionit edhe futbolli kaloi një situatë të vështirë. U privatizuan ekipe si Partizani, etj, që e pamë, ra në Kategorinë e Dytë, apo skuadra të tjera, falë menaxhimeve kaotike. Ideja ime ka qenë se një klub, një aset sportiv është së pari aset shoqëror i gjithë qytetit, i gjithë komunitetit të sportit dhe banorëve të atij qyteti. Ai nuk mund të shkatëroohet, shpërdorohet apo përdoret për qëllime personale. Ai nuk duhet t’u jepet njerëzve aventurierë, njerëzve, që për interesa të vogla momentare marrin një ekip dhe më pas, e braktisin, pasi nuk munden më. Njerëz që kanë interesa qoftë edhe financiare, apo me qëllime okulte, tranzitorë dhe që e kanë mendjen te bastet. Këta duhet të ikin nga bota e futbollit, ose më mirë nuk duhet të ishin futur. Nuk mund të jenë në sport njerëz që kanë dëshirë të fitojnë nga futbolli. Bashkitë që janë përgjegjëse për asetet sportive të qyteteve të tyre dhe duhet t’ia dorëzojnë skuadrën një personi, i cili ka financa të shëndosha. Që garanton me një projekt, ecurinë, për shembull për 15 vite të skuadrës. Një njeri, që garanton financiarisht dhe nuk ka probleme financiare me askënd. Një njeri që të jetë i rregullt me ligjet e shtetit dhe i kaguan taksat e të gjithë një më një. Vetëm kështu ne ndërtojmë struktura të mëdha. Këta njerëz në fund të një kohe të caktuar, duhet të kontrollohen, të kalojnë filtra dhe të shihet nëse projekt-idetë, me të cilat privatizuan klubin janë vënë në zbatim. Njerëz që groposin një klub futbolli, apo çdo sporti tjetër nuk i duhen botës tonë.   

-Mesa kuptova ju jeni i idesë që klubet të kenë një farë kontrolli nga Bashkia, apo shteti?

Ndoshta edhe jo drejtpërdrejt. Një ide është që një klub kur të privatizohet t’u jepet një pjesë e aksioneve edhe tifozëve, por edhe pjesës historike të një skuadre. Për shembull, një lojtar apo figurë, e cila kontribuuar 10 vite në një klub, duhet të jetë apo të ketë pjesë aksionesh të këtij klubi. Kështu u privatizuan edhe ndërmarrjet shtetërore diku gjatë viteve ’90. Një 20 përqindësh të shpërndarë te figurat sportive do të ishte normal për një klub futbolli, që edhe përgjegjësinë shoqërore dhe sportive ta kishte të lartë. Edhe Bashkia ta ketë një pjesë në klub dhe të kontrollojë ecurinë. Bashkia e Shkodrës apo Tiranës, nuk mund ta privatizojë klubin dhe të kthejë kurrizin. Ajo duhet të kontrollojë se ky privatizim, që është aset i të gjithëve, nuk mund të hidhet poshtë. Sepse dalim pastaj në kriza të vërteta ku shkatërrohet një skuadër që ka 100 vite histori. Janë eksperimentuar pa sukses privatizimet e klubeve dhe nuk kemi përse të shkatërrojmë sërish skuadra. Unë e them edhe një herë: bashkitë duhet të shohin se cilëve ua japin klubet e sportit dhe jo të kënaqen që hoqën qafe sportin.  

-Ju folët për idenë e privatizimit të klubeve. Në qendër të vëmendjes tani është çështja Skënderbeu?

Është e trishtueshme, që në Shqipëri dhe UEFA po diskutohet dënimi i një skuadre si Skënderbeu. Unë nuk jam as akuzues as inkuizitor, por më vjen keq. Nuk mund të them që Skënderbeu është me faj dhe uroj që Skënderbeu të mos dënohet, por gjithë kjo histori ka të bëjë me përgjegjësinë shoqërore që fola më lart. Fatkeqësisht shoh që “erërat e dënimit” kanë ardhur drejt Shqipërisë dhe Skënderbeut, që të bëhet shembull, edhe pse mund të ketë plot fajtorë në këtë pjesën tonë të futbollit.

-Ju erdhi keq që nuk ishit pjesë e Komitetit?

Jo fare. E kam shprehur edhe në një vend tjetër. Nëse do të kisha konkurruar para njerëzve të sportit dhe ata të mos më votonin, do të isha i mërzitur apo më të më vinte keq. Në Asamble nuk votuan 66 vetë nga bota e sportit, por pjesë e politikës, që e shohin sportin si moment për pak reklamë, apo për të zbatuar urdhrat. Unë i kam arritur të gjitha dhe nuk kisha nevojë për një pozicion. Doja të isha ndihmesë për futbollin. Isha i vetmi nga sporti që tentova mes njerëzish që vinin nga profesione të tjera.  

-Edhe presidenti Armand Duka foli se ishte humbje për komitetin, mosqenësia e Shkëlqim Muçës në këtë organizëm…

E falënderoj për fjalët pozitive. Ka thënë të vërtetën. Unë nuk kisha nevojë për një pozicion. Të gjithë e dinë që unë kam qenë drejtues i çdo niveli dhe vetëm do të kontribuoja në sport. Shpresoj që herën tjetër Asambleja të jetë e sportit dhe futbollit, e jo e politikës. Një ide, që jam i bindur se zoti Duka do ta vërë në jetë është ndryshimi i strukturës së komitetit dhe Asamblesë. Komiteti duhet të jetë në shumicë nga njerëz të sportit. Le të ketë edhe teknikë të fushave të ndryshme, por në minorancë. Shihni KLGJ, KLP te drejtësia. Pranojnë nga fusha e tyre. Fushat e tjera nuk mund të afrohen në këtë botë. Kjo është edhe ideja ime: Njerëzit e sportit të kontrollojnë futbollin.  Jam i bindur se FSHF-ja, që në Asamblenë e radhës mund ta propozojë dhe vërë në zbatim këtë ide. Do të ishte diçka fantastike. Kështu ne njerëzit e sportit mbrojmë më shumë botën tonë, siç bën çdo profesion.    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *