Muça përjashtohet 1 vit, Tirana: Padrejtësi, do ta apelojmë!

1

 

“Mbyte Beogradin, mbyti komunistët!”, thirrjet pas derbit që “burgosin” mbrojtësin bardheblu nga Disiplina me arsyetimin: Nxitje publikisht të urrejtjes. Klubi kryeqytetas e çon çështjen në Apel

Andi TANKU

Gentjan Muça përjashtohet me 1 vit nga aktiviteti futbollistik. Komisioni i Disiplinës ka marrë dje këtë masë ndëshkuese për mbrojtësin bardheblu pas thirrjeve “Mbyte Beogradin, mbyti komunistët” që 27-vjeçari i lëshoi me megafon në përfundim të derbit, gjatë festës pranë tifozëve bardheblu. Thirrje këto, të cilat janë konsideruar si “nxitje publikisht të urrejtjes” nga ana e Disiplinës, komision ky që ka pezulluar me 12 muaj Muçën bazuar në Nenin 52/1. Një ndëshkim ky që ka ardhur disa ditë pas vendimit për të dënuar zyrtarët e klubit të Tiranës dhe të Partizanit, si edhe stadiumin “Selman Stërmasi” me 8 ndeshje pa tifozë, për shkak të incidenteve të ndodhura në përfundim të derbit që u luajt më 4 maj. Pezullimi me 1 vit nga aktiviteti futbollistik i Gentjan Muçës ka ardhur pas publikimit të pamjeve filmike në rrjetet sociale, kur mbrojtësi i 24 herë kampionëve, pas sfidës ndaj të kuqve, gjatë festës pranë tifozëve bardheblu ka thirrur përmes megafonit “Mbyte Beogradin, mbyti komunistët”, citate të cilat janë interpretuar si nxitje të urrejtjes, ndërsa të tilla “parulla” janë dëgjuar nëpër tribunat e tifozëve të Tiranës edhe gjatë derbit, sikundër edhe ata të Partizanit, të cilët janë dëgjuar të thërrasin “Mbyti fashistët” drejtuar kundërshtarëve bardheblu.

APELIMI– Pezullimi i Gentjan Muçës me 1 vit nga aktiviteti ka ardhur si “rrufe në qiell të hapur” në ambientin sportiv bardheblu. Një vendim ky i Disiplinës, që ka qenë absolutisht i pamenduar dhe i papritur për klubin më të titulluar në vend, që dje në mbrëmje ka dalë edhe më një deklaratë për shtyp në faqen zyrtare në internet. Nga ajo që bëhet me dije përmes zyrës për shtyp të klubit kryeqytetas, dënimi i Muçës do të apelohet nga ana e 24 herë kampionët e vendit, të cilët e kanë konsideruar dënimin e një prej lojtarëve më të mirë të ekipit bardheblu, si absolutisht të padrejtë dhe kanë kërkuar që të tilla situata të mos politizohen dhe të dëmtojnë më pas klubin, lojtarët dhe tifozët e Tiranës, siç ishte rasti i dënimit me 8 ndeshje pa spektatorë i stadiumit “Selman Stërmasi” pas derbit të zhvilluar më 4 maj ndaj Partizanit.

DEKLARATA– “Komisioni i Disiplinës ka marrë sot (dje) një vendim absurd dhe të paprecedentë duke dënuar me 12 muaj pezullim futbollistin e Tiranës, Gentjan Muçën për nxitje të urrejtjes pas ndeshjes së 4 Majit. KF Tirana do të kërkojë ndryshimin e këtij vendimi absolutisht të padrejtë. Klubi do të apelojë këtë vendim duke kërkuar që të tilla situata të mos politizohen dhe të dëmtojnë më pas KF Tiranën, futbollistët bardheblu si në rastin e Muçës apo dhe tifozët bardheblu si në rastin e mbylljes së dyerve për 8 javë”, lexohej në deklaratën për shtyp të klubit të Tiranës, publikuar dje, 1 orë pas zbardhjes së vendimit të Disiplinës për të dënuar Gentjan Muçën me 1 vit përjashtim nga aktiviteti futbollistik.

Vendimi i Disiplinës për mbrojtësin e Tiranës:

“Lojtari i K.F Tirana, Gentjan Muça, për nxitje publikisht të urrejtjes, bazuar në Nenin 52/1, të KDS pezullohet për 12 muaj nga aktiviteti”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.