Muarem, golat në “momentin e gabuar”

0

Muarem Muarem. 6 vite në Karabak, 4 herë kampion, kampion në Ligën e parë turke me Eskisehirspor, 10 ndeshje me Maqedoninë. 32 ndeshje dhe 5 gola në kupat e Europës. Çfarë lojtari! Në janar Shpëtim Duro me të drejtë mendoi dhe tha: Çfarë fati, e binda që të vijë në Vlorë! Ky është lojtari më i paguar i skuadrës, 18 muaj kontratë. Në janar Flamurtari ëndërronte t’i afrohej Skënderbeut. “Me këtë në bord, edhe mund ta mbajmë shpresën ndezur deri në fund”.

Katër muaj në Shqipëri, 3 dëmtime, 4 ndeshje, mungesë përshtatjeje. Flamurtari janar-prill ishte një rënie e lirë. Njësoj si forca e gravitetit në mungesë të peshës, Muarem nuk ishte ylli që pritej. Çfarë po ndodhte?

Muarem në këto muaj ka qenë në pozitë të vështirë. Për veten dhe trajnerin. “Profesor, nuk e kuptoj ç’po ndodh, por unë një ditë do jem i rëndësishëm”. Futbolli është njësoj si “Ironic”, motivi i këngës së famshme të Alanis Moriset në mesin e viteve ‘90. Ka gjithnjë trafik kur je vonë, fiton lotarinë 99 vjeç dhe të nesërmen vdes.

Në ndeshjen e parë pa Duron, Muarem shënon dy gola, shpërthen me asiste dhe është më i miri në fushë. Lojtari ndihet në faj. Ndokush mendoi se kishte ndonjë problem me trajnerin. Jo, përkundrazi, ai do jepte gjithçka që këtë paraqitje ta bënte nën drejtimin e Duros.

Futbolli është  i pashpjegueshëm. Duro nuk gaboi kur tha: “Ky është një lojtar i madh për kampionatin shqiptar”.

Gjergji Stefa

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.