Moxhi punon për Partizanin, por flet si drejtues i Juventusit

Luçiano Moggi është i dënuar përjetë në Itali, por gazetarët nuk i ndahen, duke e ditur se ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit përbën gjithnjë lajm. Ndonëse tani punon për llogari të Partizanit dhe tifozët e kuq presin si uji në shkretëtirë ndonjë lajm të mirë, ndonjë përforcim e ndonjë intervistë të Moxhit, ky i fundit refuzon të flasë për mediat në Shqipëri, por nga ana tjetër nuk humbet rast të flasë në Itali.

Ditët e fundit bëri bujë transferimi i Leonardo Bonuçit nga Juventusi te Milani dhe menjëherë gazetarët italianë kanë kthyer sytë nga Moxhi, ai që deri para një dekade ishte autori i lëvizjeve më të bujshme në merkato, duke shitur emra si Zidan e Inzagi pa u trembur nga zemërimi i tifozerisë.

Nuk e besoja që Bonuçi do shkonte te Milani. Unë do i thosha “Ose ik jashtë, ose qëndro aty e mos na çaj t***n. Pikë. Kështu është futbolli profesionist, nuk ka më lojtarë flamuj. Kjo është një nga të këqijat e futbollit. Është si të votosh për një deputet që i përket të majtës dhe pas zgjedhjeve e sheh që kalon tek e djathta. Pasardhësi i Bonuçit? Kaldara, i riu italian më i mirë në qarkullim. Pastaj Juve do marrë edhe De Shilion, por i duhet një mesfushor i mirë, për të ndihmuar në ndërlidhjen mbrojtje-mesfushë-sulm, edhe pse nuk i dihet, Markizio mund të kthehet në nivele të larta”, ka deklaruar Moxhi në një intervistë botuar sot në “Tuttosport”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *