Mourinho ka përgatitur gjithçka, pret datën për të marrë stolin e Realit të Madridit

Reali i Zidane ka treguar shumë luhatje për të cilat përgjegjës në Spanjë është bërë pikërisht trajneri francez, duke vënë në rrezik edhe vendin e tij në stolin e “los blancos”. Por ai që buzëqesh nga e gjithë kjo situatë është Jose Mourinho, i cili është duke pritur shkarkimin e Zidane për të ardhur edhe një herë tjetër në drejtimin e madrilenëve.

Sipas asaj që bën të ditur “AS”, trajneri portugez e ka bërë zgjedhjen e tij dhe tashmë e vetmja gjë që mund të bëjë është të presë momentin e tij për të filluar dëtyrën e re, pasi çdo gjë tjetër është bërë gati, përfshirë këtu edhe stafin e ri teknik me të cilin do të punojë. Ndërkohë, “special one” ka refuzuar disa ekipe deri në këtë moment, madje presidenti Lionit do të deklaronte se Mourinho e kishte zgjedhur cilin ekip do të stërviste dhe se ishte në pritje.

Të gjitha këto së bashku të çojnë në një rrugë të vetme, atë të ribashkimit me galaktikët e Realit të Madridit. Këtë e konfirmojnë edhe burime të afërta me trajnerin portugez, që shprehen: “nuk ka të bëjë me faktin a do të shkojë në Madrid apo jo, por pyetja është kur”. E nëse madrilenët vazhdojnë të mos shfaqin qendrueshmëri në rezultate, atëherë pyetja kur pritet të marrë përgjigje shumë shpejt./Sport Ekspres/