“Motori” Ramadani, askush si ai në Danimarkë!

Ylber Ramadani erdhi si një i panjohur në vendin tonë. U desh që një italian ta aktivizonte në kupat e Europës dhe Partizani fitoi një lojtar që kontribuoi për një sezon dhe më pas u shit te Vejle BK në Danimarkë. Sërish ai italiani që e tërhoqi pas vetes. Flasim për Adolf Sormanin, “pengun” e Gaz Demit.

Tani ai po bën mirë në Danimarkë dhe ekipi i tij vrapon aq shumë sa për kilometrat e bëra ia kalon vetëm Brondbi që mesatarisht vrapon 123,746 kilometra/ndeshje. Vejle BK regjistron 123,329 km/ndeshje.

RAMADANI – Mesfushori është maratonamak. Në Danimarkë deri më tani nuk ka vrapuar askush sa ai, madje të tjerët kanë edhe më shumë minuta se Ramadani. 223779 metra ka përshkuar futbollisti i kombëtares. Po të bësh një mesatare se vrapon Ramadani në 90 minuta, shifrat është spektakolare: 13,487 metra.

Në fakt në klubin danez nuk habiten shumë, pasi Ramadani merr pjesë në aksionet mbrojtëse dhe ato sulmuese. Ai nuk rresht së vrapuari dhe po të bësh një krahasim edhe me lojtarët e Premier League, shifrat e Ramadanit janë më të larta. Kristian Eriksen ishte lojtari që vjet vraponte më shumë dhe regjistroi shifrën mesatare 12,331 metra për 90 minuta. Sikurse shihet, Ramadani është superior në këtë aspekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *