MotoGP/ Garë e çmendur, në fund triumfon Markez

Mark Markez arriti fitoren e katërt në këtë sezon në MotoGP, në një garë epike në cirkuitin e Asenit në Holandë, kur u shkëput nga një 6-she pilotësh që po luftonin deri në xhirot e fundit për podiumin.

Spanjolli me Honda fitoi me 2.269 sekonda avantazh nga spanjollit tjetër Aleks Rins, në një garë të çmendur, me ekuilibër të jashtëzakonshëm, ku kampioni në fuqi e mori kreun vetëm 4 xhiro para fundit.

Ishte Horge Lorenco ai që kryesoi në pjesën e parë të garës, duke u nisur nga vendi i dhjetë dhe duke bërë një start të mrekullueshëm, i ndihmuar edhe nga zgjedhja e çuditshme e gomës së parë, që ishte e butë.

Lorenco e mbajti gjatë kreun, ndërkohë që Markez luftonte me Valentino Rosin, Doviciozon, Rins dhe më pas me Vinjales. Gara ishte shumë e ngjeshur, aq sa në një moment Lorenco e Rosi u prekën, por nuk humbën vende në renditje.

Në fund, Vinjales e mbylli i treti, ndjekur nga Doviciozo, Rosi, Kraçlou e Lorenco.

Në renditjen e përgjithshme për pilotë Markez arratiset në krye, sepse tashmë ka 140 pikë, ndërsa Valentino Rosi ndjek me 99 dhe Vinjales me 93.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *