MotoGP në zi, vdes kampioni i botës Niki Hejden

0

Niki Hejden nuk ia doli dot mbanë. Ish-kampioni i botës në Moto GP, në vitin 2006, ndërroi jetë pasditen e djeshme në spitalin Bufalini të Çezenës, ku u shtrua me urgjencë të mërkurën e kaluar pas një aksidenti. Ai po stërvitej me biçikletë, bashkë me disa miq, kur u përplas me një makinë në një kryqëzim. Stafi i spitalit, ku piloti amerikan ishte shtruar, lëshoi këtë komunikatë.

“Kolegji mjekësor konfirmoi sot ndarjen nga jeta të pacientit Nikola Patrik Hajden, që u shtrua në spital më 17 maj, në repartin e reanimacionit, pas disa problemeve të rënda shëndetësore të shkaktuara nga një aksident në të njëjtën ditë”.

Hejden, 35 vjeç, po stërvitej me biçikletë në një zonë të Riminit, kur rreth orës 14:00 u përplas me një makinë të tipit Pezho, që drejtohej nga një 30-vjeçar, i cili po shkonte në punë. Hetimet rreth dinamikës së aksidentit vazhdojnë ende, pasi mendohet se mund të ketë qenë faji i pilotit amerikan, që hyri në kryqëzim pa ndaluar dhe kontrolluar. Trupi i pilotit pas aksidentit përfundoi në xhamin e përparmë të makinës, që u thye, ndërsa Hajden pësoi dëmtime të rënda nga përplasja. Ai u shtrua me urgjencë fillimisht në spitalin e Riminit dhe më pas në atë të Çezenës, por gjithnjë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në Moto GP, piloti amerikan ka zhvilluar 218 gara, me 3 fitore të arritura dhe 28 herë është ngjitur në podium. Ai debutoi në këtë kategori në vitin 2003, me motorin Honda. E pas tri sezonesh arriti të shpallej kampion bote në vitin 2006, duke lënë pas italianin Valentino Rosi, që atë sezon garonte me Dukati. Në vitin 2016 kaloi në kategorinë Superbajk, ku garonte sërish për motorin Honda, duke e mbyllur sezonin e kaluar në vendin e pestë. Edhe këtë vit ai po garonte sërish në Superbajk dhe 10 ditë më parë u rendit i 12-ti në garën e Çmimit të Madh të Italisë. Më pas erdhi aksidenti fatal që i mori jetën.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image