Morati: Spaleti si Murinjo. Milani – 18, çfarë kënaqësie!

Ish-presidenti zikaltër lavdëron Spaletin: “Hyn në kokën e lojtarëve ashtu si Murinjo dhe qetëson ambientin. Në të shkuarën e kam dashur tek Interi. Perishiç është shumë i fortë. Ikardit i duhet rritur klauzola. Konte te Milani? Nuk besoj, është i kujdesshëm”.

Të krahasosh Spaletin me Murinjon duhet guxim dhe Masimo Morati flet lirshëm, tani që nuk është më numri 1 i Interit. “Spaleti sillet si Murinjo me lojtarët, hyn në mendjet e tyre dhe krijohet besim reciprok, çka qetëson ambientin. Spaleti ka ringjallur Ranokian, apo Santonin, interistë në gjak, por që duheshin rindërtuar. Edhe Brozoviçin, por ky ka qenë i rëndësishëm dhe thjesht kishte nevojë për një trajner të fortë si Spaleti, që ta përfshinte më shumë”, thotë Morati për Gazzetta dello Sport, duke lavdëruar Spaletin: “Ai nuk ka nevojë për këshillat e mia, nuk do t’ia lejoja kurrë vetes. I kam shpjeguar tipin e tifozit zikaltër, por ai ka kuptuar gjithçka me kohë. Pas Tripletës Spaleti mund të vinte tek Interi, Branka foli me të, por më pas ai shkoi te Zeniti”.

Fitorja ndaj Kievos

Interi po e kënaq Moratin: “Ndeshja kundër Klevis ishte perfekte, të gjithë e dinin çfarë po bënin dhe dukej se po zbaviteshin. Perishiç është shumë i fortë, ka fizik dhe klas, nëse ka vazhdimësi është ndër më të të mirët në qarkullim. Bravo klubi dhe Spaleti që nuk e lëshuan në verë”.

Ikardi fenomen

Morati i gëzohet formës spektakolare të Mauro Ikardit: “Mauro e ka pasur gjithmonë vizionin e lojës, por tani po e vë në praktikë. Vrapon si i çmendur dhe nuk lodhet kurrë, po shënon pa fund. Klauzola 100 milionë? Duhet ngritur, nuk mund të rrimë në ankth çdo verë, edhe pse ai dëshiron të qëndrojë”.

“Juventusi? Në momentin e duhur”

Inter e Juve janë në moment të shkëlqyer, përballja direkte vjen në momentin e duhur. “Shpresoj të jetë një spektakël i madh, edhe për faktin se tashmë rivaliteti është vetëm në aspektin sportiv. Juve ka një skuadër që funksionon në mënyrë perfekte dhe Alegri është shumë i zoti, ndërsa stadiumi do të jetë i gjithi bardhezi, por unë kam besim te Spaleti. Sulmi i Juves është fantastik, por ne kemi Ikardin, ndaj po të kisha mundësi, do t’u merrja Dibalën, imagjinoni çfarë dysheje me Ikardin. Pas Napolit skuadra është bindur për forcën e vet dhe mendoj se tani mund të flasim dhe për titull, edhe pse Juve, por edhe Napoli dhe skuadrat romane janë super”.

Milani, -18 pikë

Derbi me Milanin mbetet i zjarrtë, në çdo moment: “Mendoja se do vuanin pak, me ndryshimet e verës, por nuk e prisja që të kishin kaq shumë probleme. Në Benevento u bënë gazi i botës. Tani janë 18 pikë poshtë nesh dhe nuk mund të gënjej, nuk më vjen fare keq, përkundrazi. Antonio Konte te Milani? Nuk besoj, ai është i kujdesshëm, shumë i matur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *