Morati mesazh Murinjos: Aty jo, nuk të shoh dot!

Masimo Morati u detyrua të tërhiqej nga Interi, edhe pse mbetet një tifoz special i zikaltërve. Në vitin 2010 ai arriti të fitonte gjithçka dhe ai sezon do të mbahet mend gjatë nga tifozët e klubit milanez. “Interi i tripletës është kujtimi më i këndshëm, por ka edhe vite të tjera të mrekullueshme që janë pjesë e një aventure të bukur në krye të Interit”, thotë ish-presidenti, i cili është rikthyer të flasë dhe e ngacmojnë edhe për Antonio Konten, kandidatin kryesor për të pasuar Luçiano Spaletin në stolin e Interit.

“Nuk mund të gjykoj, por mund të jetë një zgjedhje e mirë”, thotë Morati sa për të kaluar radhën. Më tej ai është pyetur edhe për grupin Suning që drejton Interin. “Njerëz të mirë dhe të sjellshëm me mua. Kemi shkëmbyer informacion dhe asgjë më shumë. Presidenti Zhang po bën një sforcim të madh për ta çuar përpara këtë projekt që ka nisur”, është shprehur italiani për Radio Sportiva.

Bepe Marota po punon për të përforcuar Interin dhe dihen aftësitë e tij. Në lidhje me të Morati shton: “Shpresoj që me durimin dhe kapacitetin që ka ta çojë Interin në një nivel më të lartë se ky i tanishmi, edhe pse nuk do të jetë e lehtë”.

Sigurisht Morati është ngacmuar edhe për Ikardin dhe mendimi i tij është i qartë: “Duhet të prisnin fundin e sezonit për të bërë gjithë atë rrëmujë”. Në fund ish-presidentin e Interit e prekin në zemër. Murinjo, është një nga pikët e dobëta dhe emri i portugezit po lakohet si opsion për Juventusin.

Morati sigurisht nuk do e priste mirë nëse  ish-trajneri i Interit do e pranonte ofertën e bardhezinjve. E thotë hapur diçka të tillë: “Jeta mund të të detyrojë të bësh edhe gjëra ndryshe nga ato që mendoje, por në këtë rast do nuk do e prisja mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *