Morata me valixhe në duar, Sarri tremb dy ekipet e Milanos

Inter dhe Milan po përgatiten për ndeshjen derbi, që zhvillohet ditën e diele në orën 20:30. Për të shqetësuar tifozët respektivë ka menduar “The Sun”. Sipas tabloidit anglez, Çelsi po kërkon një sulmues për merkaton e janarit. Alvaro Morata ka zhgënjyer me paraqitjet e tij dhe është një hap larg largimit nga ekipi.

Drejtuesit po mendojnë të ndërhyjnë në merkato dhe Mauricio Sarri ka dy preferenca. Bëhet fjalë për Mauro Ikardin dhe Patrik Kutronen. Italiani i “Bluve të Londrës” i pëlqen shumë të dy lojtarët dhe i ka kërkuar drejtuesve të nisin tratativat.

Kapiteni i Interit është i pari në listë, por do të jetë shumë e vështirë, ose pothuajse e pamundur, të arrihet blerja e tij në janar. Një situatë e ngjashme dhe për talentin e Milanit, i cili sapo ka rinovuar kontratën e tij me kuqezinjtë. Situata e 19-vjeçarit të Milanit është më e thjeshtë sa i përket aspektit financiar, por të dy tratativat do të jenë të komplikuara.

Çelsi është gati të nisë ofensivën e tij, ndërsa të dy sulmuesit do të tentojnë të lënë shenjën e tyre në ndeshjen e qytetit, me Sarrin që shpreson që njëri prej tyre të transferohet në Londër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *