Monopoli i basteve, kompania nën akuzë nxjerr blof kryeministrin!

Estrada me bllokimin e basteve sportive vazhdon dhe në vend që të zhvillohen debate publike dhe diskutime të gjera, kryeministri Edi Rama garanton në Twitter: “Paratë e zeza të basteve po derdhen kazanëve për të jashtëqitur llafin se kjo u bëka që të mbetet një monopol online! Këtë për çudi s’e paska Taulanti. Mos u lodhni kot, bastet s’i shpëtoni dot më! Edhe bastet edhe ky monopoli online do vdesin për Vit të Ri. Amanet dëshmitarin X”.

Përtej absurditetit të urdhrave të tipit “Për 24 orë nuk dua t’i shoh reklamat online”, që janë krejtësisht antiligjore për një shtet që i afrohet për së largu demokracisë (se me demokracinë nuk kemi pasur ndonjëherë lidhje në këtë shekullin e fundit), ajo që të bën përshtypje është se gjithnjë e më shumë në media dhe në opinionin publik po forcohet ideja se lëvizja e fundit e kryeministrit nuk ka lidhje me dashurinë për shqiptarët dhe keqardhja për portofolin e tyre, por është thjesht një tentativë e maskuar shumë shëmtueshëm për të mbërthyer dhe për të bërë monopol të vetin lojërat e fatit.

Nëse nga njëra anë deputeti Erjon Braçe kërkon që shteti të organizojë lojërat e fatit (sepse ashtu nuk do vaërfohemi dhe plaga sociale do na shërohet?), në krahun tjetër kompania që është nën akuzë nga të gjithë se po pushton tregun, Bastarena, jep këtë përgjigje kur pyetet online si do veprohet me llogaritë që kanë hapur njerëzit në bastarena.com: “Bastarena ju siguron se llogaritë tuaja janë plotësisht të sigurta, sepse kompania jonë është e vetmja kompani e licencuar për lojërat e fatit online dhe nuk preket nga ndryshimet ligjore”.

Me pak fjalë, prej 1 janarit 2019 nuk ka më pika bastesh e lojëra fati në Shqipëri, nuk ka asgjë as online, me përjashtim të Bastarena! Nëse ky nuk është monopol, nuk e dimë si e quan kryeministri, sepse në media po qarkullon gjerësisht edhe një sms e tij drejtuar deputetëve të majtë, ku Rama sqaron: “Kanë nisur t’ju çojnë lumenj mesazhesh nëpër telefona kundër mbylljes së basteve! Janë te orkestruara nga burgu e nga llagëmet e atyre që fshihen pas kompanive, prandaj mos e vrisni mendjen dhe mos dëgjoni as shpifjen për “monopol online”, sepse s’do ketë asnjë lloj monopoli!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *