Monako refuzon Milanin për Falkaon, sulm për Kavanin

Kuqezinjtë ende nuk e kanë gjetur sulmuesin e duhur. Në lojë janë disa emra, nga Kaliniç tek Diego Kosta e te Kavani

Merkato e Milanit ka qenë një bum i vërtetë në fillimet e veta. Shpejt e shpejt kuqezinjtë kanë bërë të gjitha, ose thuajse të gjitha lëvizjet. Kanë siguruar portën me Donarumën, kanë përforcuar mbrojtjen me Bonuçin, kanë riparuar mesfushën, kanë investuar dhe në sulm. Por… por nuk kanë arritur të gjejnë sulmuesin e vërtetë. Alvaro Morata shkoi tek Çelsi, Obamejang qëndroi në Dortmund, Diego Kosta do vetëm Atletikon e kështu me radhë. Kjo ka bërë që tregu i kuqezinjve të ngushtohet dhe tashmë në Milano janë duke vlerësuar goditjen e duhur, ndonëse zgjedhjet janë shumë më të pakta.

Falkao refuzon – Të enjten në mbrëmje mediat franceze bënë me dije se Milani ishte i gatshëm të paguante 30 milionë euro për sulmuesin e Monakos, Radamel Falkao. Lajmi i dhënë nga “France Football” ka gëzuar tifozët e Milanit, që kanë nisur të ëndërrojnë për “Tigrin”. Megjithatë, përgjigja  e Monakos nuk ka vonuar. Kampionët e Francës kanë bërë me dije se Falkao nuk është në shitje, duke i kujtuar Milanit se kolumbiani ka një kontratë deri në vitin 2020. Ky refuzim i Monakos shkon në një linjë me mendimin e sulmuesit, i cili në një intervistë të fundit pat deklaruar se ishte i lumtur në Principatë.

Kaliniç në krye të listës – Në Itali bëjnë me dije se pretendente kryesor për të veshur fanellën e Milanit është sulmuesi i Fiorentinës, Nikola Kaliniç. Në lojë është ende dhe Diego Kosta, por Milani nuk është dakord me një huazim deri në janar. Kjo pasi spanjolli dëshiron të luajë vetëm për një klub, Atletikon e Madridit. Duke qëndruar te Nikola Kaliniç, kroati është në pritje të një vendimi të drejtuesve të Milanit. “Premium Sport” ka bërë me dije se ka pasur dhe një lëvizje të fundit të kuqezinjve në këtë drejtim, duke i propozuar Fiorentinës blerjen jo vetëm të Kaliniçit, por dhe të Milan Badelj. Një paketë e vetme me Kaliniç, teksa Milani i ofron në këmbim Fiorentinës, disa miliona euro dhe kartonin e Paletës.

Surpriza Kavani – Milani momentalisht e sheh veten në vështirësi në gjetjen e një sulmues. Por në këtë merkato të papritur dhe të çmendur gjithçka mund të ndodhë. Në Itali raportojnë se lëvizja surprizë e kuqezinjve mund të jetë sulmuesin i PSG-së, Edinson Kavani. Në rastin e uruguaianit gjithçka do të varet nga Kilian Mbape. Në rast se ylli i Monakos do të kalojë te nënkampionët e Francës për 180 milionë euro, atëherë kjo do ta detyronte PSG-në të shiste disa yje të saj si Di Maria dhe Kavani. Kjo pistë po ndiqet me interes nga Milani që shpreson t’i vërë kapak merkato me një lëvizje big në sulm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *