Momenti i Latifit, ai që po merr për dore kampionët

0

Leonard Trebicka

Kukësi ka Pejiçin, Partizani ka Ekubanin, por edhe Skënderbeu e ka një lojtar, i cili po e merr për dore, edhe pse gjithmonë dhe nga të gjithë është thënë se ekipi është solid dhe nuk varet nga një individ i caktuar. Vetë fakti që grupi ruhet përgjithësisht pas çdo sezoni, e bën të besueshëm këtë konstatim. Në raport me sezonin e kaluar, bie në sy fakti që mungojnë golat e shumtë të Hamdi Salihit apo shpërthimet e Bernard Berishës, por është Liridon Latifi ai që po bën liderin në fushë. Me modesti pas ndeshjes me Teutën, ku për të pestën herë këtë sezon Skënderbeut i dha fitoren një gol i tij, Latifi u shpreh se “ia kë bërë ves Salihi”.

Ai nuk do ta veçojë kontributin e tij nga ai i grupit, një filozofi kjo e ekipit kampion, por shifrat flasin për një lojtar vendimtar në radhët e juglindorëve, aq më tepër në javët e fundit. Kosovari që luan në të majtë të sulmit korçar ka qenë vendimtar në 4 ndeshje të kampionatit, duke i dhënë 10 pikë skuadrës së tij, por edhe të mërkurën shënoi golin e fitores në Durrës, duke e bërë të lehtë kalimin në finale të Kupës së Shqipërisë. Latifi ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes për Skënderbeun në transfertat me Flamurtarin, Vllazninë dhe Laçin, të mbyllura të gjtiha 0-1.

Po ashtu, ka shënuar golin e avantazhit me Kukësin në Korçë, por më pas miqtë barazuan dhe në këtë rast i ka dhënë vetëm një pikë Skënderbeut. Kujtojmë që në atë ndeshje ishte edhe një penallti po me Latifin protagonist, por që nuk u akordua nga gjyqtari Meta. Latifi ka shënuar gjithashtu edhe në ndeshjen me Luftëtarin, 3-0, si dhe në 2 ndeshjet me Tiranën, në fitoren 2-0 në Korçë dhe humbjen 2-1 të korçarëve në kryeqytet. Veç kësaj, ka fituar edhe disa 11-metërsha, të ekzekutuar nga Salihi, por edhe ka qenë rreziku kryesor i Skënderbeut për ekipin kundërshtar. Të gjithë këto kanë bërë që Latifi të ketë vëmendjen e trajnerit të Kombëtares, De Biazit, i cili e ka grumbulluar dy herë deri tani.

TRANSFERIMI – Në verë është e sigurt se Skënderbeu do ta humbasë këtë lojtar. Vetë drejtuesit kryesorë të këtij kanë deklaruar se kosovari do të transferohet në një kampionat të huaj dhe klubi korçar do të përfitojë një shumë rekord nga ky transferim. Kampionët, si sezonin e kaluar, kur shitën Olainkën dhe Berishën, do të humbasin një tjetër “xhevahir”, një lojtar që po kalon një formë të shkëlqyer në këtë moment dhe që  po e tërheq Skënderbeun drejt dy trofeve.

 

5 “fitoret” e Latifit

Laçi – Skënderbeu 0-1

Latifi 68’

Vllaznia – Skënderbeu 0-1

Latifi 67’

Flamurtari – Skënderbeu 0-1

Latifi 48’

Teuta – Skënderbeu 0-1 (Kupë)

Latifi 51’

 

Barazimi i Latifit

Skënderbeu – Kukësi 1-1

Latifi 12’

 

Golat e tjerë

Tirana – Skënderbeu 2-1

Latifi 83

Skënderbeu – Luftëtari 3-0

Latifi 36’

Skënderbeu – Tirana 2-0

Latifi 84’

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.