Momenti i artë i Uzunit, gol dhe pjesë e më të mirëve në Kroaci

Myrto Uzuni po përjeton një periudhë fantastike. Sezon shumë i mirë me Laçin, finalja e kupës, pjesëmarrja europiane dhe goli i kualifikimit ndaj Anothosis, për t’u transferuar në ditët e fundit të merkatos drejt Lokomotivës së Zagrebit. Paraqitje të mira në Kroaci, asiste dhe gola. Diçka e tillë ra në sytë e Panuçit dhe 23-vjeçarit beratas i erdhi ftesa për kombëtaren e madhe. Disa minuta me Jordaninë dhe nga titullar në sfidat me Izraelin, Skocinë dhe Uellsin.

Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, por Uzuni nuk ka ndërmend të ndalet. Në fundjavë shënoi golin e tretë në kampionatin kroat, në barazimin 2-2 kundër Osijekut. Uzuni tundi rrjetën në minutën e 45 të pjesës së parë, ndërkohë që Lokomotiva e tij renditet në vendin e dytë, 7 pikë më pak se Dinamo kryesuese.

Lojtari i kombëtares zhvilloi një takim shumë të mirë dhe u vlerësua në formacionin më të mirë të javës të “1. HNL”. Kjo është hera e pestë që lojtari ofensiv bën pjesë në titullarët më të mirë të kampionatit kroat, ndërsa në vlerësimin për të shkruhet: “Çdo veprim i Lokomotivës nis nga Uzuni. Kundër Osijekut, Radonjiç ishte jashtë listës së Lokomotivës dhe shqiptari mori përsipër ndërtimin e lojës. Ai shënoi një gol dhe u shfaq dhe herë të tjera kërcënues përpara portës.”

Uzuni ka zhvilluar 799 minuta në 9 ndeshje me Lokomotivën, ka shënuar 3 gola në kampionat dhe 1 një kupë. I mbetet të vazhdojë të punojë fort e të shënojë, ndërsa Panuçi fërkon duart, pasi 23-vjeçari ndodhet në një moment të mrekullueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *