Momenti i artë i Ismajlit: E futëm Bejlin në xhep, Panuçi insistoi për mua

0

Ardian Ismajli është gati për Hajduk Split. Mbrojtësi nuk e ndjen lodhjen pas dy ndeshjeve me Shqipërinë. “Jam gati për Slaven Belupon. Duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Vendos trajneri nëse luaj apo jo. Planet për të ardhmen? Jam i fokusuar te Hajduku. Të grumbullojmë sa më shumë pikë deri në fund“, shprehet mbrojtësi që la Kosovën për Shqipërinë.

Ai tregon se të jetosh në Split është një mrekulli më vete, sidomos kur fitojnë ndeshjet. Gradualisht është përshtatur me jetën aty, ndërkohë që edhe familja shpesh lë Prishtinën për ta takuar. Kroatisht kupton, por më së shumti komunikon në anglisht. Lojtari i Hajdukut të Splitit ka folur për “slobodnadalmacija”, duke treguar emocionet e debutimit me Shqipërinë, lojën e mirë dhe momentin fantastik që po kalon.

Ismajli debutoi në humbjen kundër Skocisë, duke u futur në pjesën e parë në vend të Kaçes, ndërsa përballë Uellsit zbriti në fushë si titullar për herë të parë me bluzën kuqezi. Mbrojtësi 22-vjeçar zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Ndërhyrje të pastra dhe shumë personalitet. Ismalji nuk u zmbraps as pas futjes së Garet Bejl në lojë, ndërsa djemtë e Panuçit fituan ndeshjen me golin e Bekim Balajt.

E futëm Garet Bejl në xhep dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë. Kam luajtur shumë mirë dhe Panuçi më aktivizoi nga fillimi i ndeshjes. Këto janë momentet më të mira të karrierës time. Falënderoj Zotin për durimin që më dha. Besimi më ndihmoi të përkushtohem për të punuar dhe për të përballuar periudhën e vështirë, kur nuk isha as në pankinë. Me Kopiç nuk kishte vend për mua në ekip. Më pas erdhi Vuliç, bisedoi me mua dhe më dha besim. Panuçi insistoi të zgjidhja Shqipërinë. Besimi dhe puna dhanë efektin e tyre”, thekson 22-vjeçari.

Më parë kishte luajtur me ekipin U21 të Kosovës, aty ku ishte dhe kapiten. Shqipëria e ftoi, ai vendosi t’i bashkohej dhe lojtari tregon emocionet e aktivizimit me kombëtaren kuqezi.

Një komb, dy shtete dhe fare pak ndryshim. Me Shqipërinë luajnë shumë lojtarë nga Kosova dhe e kundërta. Megjithatë, kur u largova nga Kosova, u fol shumë në media për një gjë të tillë. U hodh pak pluhur, por nuk është problem. Panuçi insistoi shumë për të më bindur. Isha kapiteni i U21 të Kosovës në barazimin historik 0-0 kundër Gjermanisë, ndeshje e luajtur në Mitrovicë, por nuk më llogariste kush për ekipin përfaqësues. Çdokush ka preferencat e tij dhe Panuçi më donte mua në ekip. Ai kishte informacion të plotë për mua.”

Ismajli nuk u dorëzua kurrë, sakrifica dhe puna shpërblehet, ndërsa qendërmbrojtësi po shijon frytet. Ai është një besimtar i devotshëm dhe një gjë të tillë e shpreh në prononcimin e bërë. “Jam mysliman dhe falem 5 herë në ditë. Në Split nuk ka xhami, por në qendër të qytetit ekziston një hapësirë ku mund të falemi. Besimi është diçka shumë e rëndësishme e jetës time. Më jep fuqi dhe më ndihmon në momentet e vështira. Shoqërohem shumë me Memollën, por ai nuk është shumë besimtar”, tregon lojtari i Hajdukut.

Lojtari i lindur në Besianë zbulon dhe 3 kundërshtarët më të vështirë në kampionatin kroat të futbollit. “Zhunior Fernandez, Mario Gavranoviç dhe Eros Grezda. Shqiptari im është në Skoci tani dhe jam i lumtur që u largua nga Osijeku“, përfundon lojtari i Shqipërisë dhe Hajdukut të Splitit.

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.