Moda e përmbysjeve, Real spektakolar në Sevilje

Marko Asensio shënoi dy gola dhe konfirmoi se është një ndër yjet e së ardhmes për Realin, që fitoi 5-3 në fushën e Betisit, në një ndeshje spektakolare në Sevilje sot në mbrëmje.

Skuadra e drejtuar nga Zinedin Zidan mori një fitore të madhe kundër PSG-së në mesjavë për Champions League dhe me moral të lartë shkonte në Sevilje me synim të vetëm një fitore që do të mbante larg Seviljen e vendit të pestë.

Los Blancos konfirmuan se janë në formë spektakolare në sulm, por prapavija mbetet e brishtë. Asensio shënoi i pari, por në minutat 34 e 37 Betisi përmbysi gjithçka, edhe falë ndihmës së Naços, që shënoi autogol, para se Marselo të dilte për dëmtim.

Megjithatë, kampionët në fuqi reaguan shkëlqyeshëm pas pushimit, me Sergio Ramos që barazoi dhe Asension që dhuroi avantazhin, njëkohësisht goli numër 6000 i Realit në kampionatin spanjoll, si asnjë klub tjetër.

Në minutën e 65-të Ronaldo u fut në listën e shënuesve, duke gjetur golin e tetë në kampionat në vitin 2018, si asnjë tjetër në Spanjë.

Emocione në fund, sepse Betisi shkurtoi në 3-4 në minutën e 85-të, por në shtesë Benzema siguroi fitoren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *