Mlada përforcohet, merr portierin e kombëtares së Azerbajxhanit

Me sa duket, Jakub Divish nuk e bind Mlada Boleslavin, që në portë sezonin e shkuar nuk pati një titullar fiks. Divish luajti 16 herë titullar në kampionat, ndërsa Vejmola e Sheda luajtën në ndeshjet e tjera.

Edhe trajneri i ri i Mladës, Dushan Uhrin Jr., duket se nuk është bindur nga portierët aktualë, ndaj dje Mlada zyrtarizoi afrimin e parë veror, duke punësuar portierin titullar të kombëtares së Azerbajxhanit, Kamran Agajev. 31 vjeç, Agajev luajti në pjesën e dytë të sezonit të fundit te Boavista portugeze, duke qenë 12 herë titullar e duke konfirmuar se është një portier cilësor, por në Portugali vendosën të mos e mbajnë.

Për pasojë, Agajev ka dalë i lirë në treg dhe tashmë ka firmosur për Mladan, ku natyrisht do të jetë titullar, por jo në Elbasan, pasi nuk është në listën e lojtarëve të regjistruar në UEFA. Në karrierën e vet Agajev ka luajtur 62 ndeshje për Azerbajxhanin dhe në kualifikueset e Kupës së Botës 2018 ka qenë i paprekshëm në formacion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *