Mjeku i Skënderbeut sqaron: Problemi i Jashanicës ishte urgjent, e lajmëruam UEFA-n

Mjeku fizioterapist i Skënderbeut tregon çfarë ndodhi atë ditë shtatori: U mbush me puçrra nga një reaksion dhe bëri ultrakorten në urgjencë. Ishte e vetmja mënyrë

Leonard Trebicka

Ditë të vështira për Skënderbeun. Pas lajmit për dënimin e mundshëm nga UEFA, dje është mësuar edhe dalja pozitiv e Jashanicës në testin anti-doping pas ndeshjes me Jang Bojsin në Europa League shtatorin e vitit që lamë pas. Janë përdorur substanca të ndaluara në këtë rast dhe të gjithë duan të mësojnë çfarë ndodhi vërtet. Si rrufe në qiell të hapur po vijnë lajmet për Skënderbeun. Pse kosovari përdori pikërisht atë substancë, që hyn në listën e substancave të ndaluara? Çfarë ndodhi ditën e 28 shtatorit të 2017-ës përpara se Skënderbeu të zbriste në Elbasan Arena ndaj Jang Bojsit? A duhej të lejohej të luante Jashanica në atë takim pas problemeve që kishte pasur gjithë ditën? Përgjigjen e jep mjeku fizioterapist i ekipit korçar, Jorgo Pantazi, pasi kuptohet që përgjegjësia bie edhe mbi të. Ja çfarë thotë ai për Sport Ekspres…

“Dua të them se Bajram Jashanica nuk ka përdorur dhe nuk ka për të përdorur asnjëherë substanca të ndaluara. Ju garantoj 100%, pasi është një sportist shumë i rregullt. Më 28 shtator të vitit të kaluar, kur ne luanim në Elbasan Arena ndaj Jang Bojsit, në mëngjes Jashanica ishte mbushur me puçrra, sikur ta kishte pickuar bleta apo diçka tjetër. Shkuam menjëherë në urgjencë dhe atje mjekët që e kanë vizituar kanë vënë re se është pickuar ndoshta nga ndonjë insekt. Ishte i skuqur thuajse në të gjithë pjesët e trupit, duke pasur shumë kruajtje. Ata i dhanë ilaçin, pra në gjuhën popullore quhet ultrakorten dhe ishte i vetmi ilaç që mund ti bënte efekt. Pas këtij momenti, me sa mbaj mend, deri në orën 16:00, Jashanica kaloi gjithçka, duke u qetësuar. Ishte procedura që ndoqëm ne si staf mjekësor, pasi pyetëm mjekët e urgjencës.

“Në përfundim të ndeshjes, në bazë të procedurës, kërkuam lëshimin e një autorizimi të përdorimit të substancës prednisolon nga Komisioni i anti-dopingut të UEFA-s, çka na u refuzua. Gjithsesi, dua të sqaroj se ajo që përdori Jashanica ishte e vetmja mundësi pas reaksionit alergjik që pati dhe kjo substancë nuk është doping, që të jep energji. Nuk i dha energji që të ndikonte si substanca të tjera. Kjo është situata e asaj dite të 28 shtatorit. Nëse duhej ta lejonim apo jo Jashanicën të ishte në fushë, kjo është diçka tjetër. Mbi të gjitha ka qenë klubi Skënderbeu që e ka sqaruar fije për pe të gjithë situatën. Është substanca e fundit dhe më e lehta që përdoret në të tilla raste dhe Jashanica e përdori, sepse duhej të largonte reaksionin. Kam besim se Jashanica nuk do të marrë dënim të rëndë, duke marrë parasysh të gjithë procedurën”.

Qëllimi nuk ka qenë negativ, është e qartë, por stafi mjekësor apo edhe klubi korçar duhej të ishin treguar më të kujdesshëm në këtë rast, duke mos e aktivizuar lojtarin në atë ndeshje, ose të paktën të vinin në dijeni përfaqësuesit e UEFA-s për situatën. Një gabim i rëndë në fakt, që duhet bërë mësim për të ardhmen. Dhe është e pafalshme që i ndodh një klubi si Skënderbeu, që ka struktura të shëndosha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *