Mjafton Asani, Partizani vazhdon marshimin (VIDEO)

Partizani ka marrë një fitore shumë të vështirë përballë Kamzës, edhe pse në letër parashikohej një triumf i lehtë për “Demat”. Të besuarit e Gegës luajtën përballë një Kamze të gjysmuar, pasi plot 8 titullarë kanë bojkotuar sfidën dhe nuk pranuan të luanin përballë Partizanit.

Pjesa e parë ishte pa gola dhe pa shumë raste, përveç një pretendimi për penallti i Asanit. Pjesa e dytë ishte shumë ndryshe, pasi nisi e vrullshme dhe me gol. Ishte pikërisht Asani që në minutën e 56’ ndëshkon portierin Selaci.

Një top i mbetur në zonë shfrytëzohet mirë nga sulmuesi i “Demave”, që godet me të majtën dhe shënon. Ky ishte goli i pestë në kampionat për Asanin, i cili i dha fitoren kryesuesve të kampionatit. Partizani me këtë fitore i përgjigjet Kukësit, ndërsa Kamza zhytet në zonën e ftohtë të renditjes.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 20
E shtunë, më 3 shkurt, ora 14:00, stadiumi i Kamzës

KAMZA – PARTIZANI 0-1
Shënues: Asani 56′

Kamza: Selaci, Shala, Bitri, Orelesi, Bonani, Mumajesi, Arrabal, Peçi (Bahilika 70′), Zisi (Rezi 65′), Mehmeti, Krasniqi (Martinena 73′). Trajner: Ernest Gjoka.

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Rexhepi, Idrizaj, Atanda, Telushi (Kardozo 60′), Mala, Bardhi (Çinari 75′), Asani, Hebaj (Mensah 46′). Trajner: Skënder Gega.

Gjyqtarë: Klajdi Kola, Rejdi Avdo, Mario Shazivari, Enea Jorgji

Kartonë të verdhë: Arrabal 52′, Peçi 55′ / Rexhepi 28’, Telushi 51′

Delegat: Marjus Sulejmani; Vëzhgues: Pajtim Aliko.

EPISODET

90′ Mbyllet takimi, Partizani merr një fitore të çmuar

88’ Çfarë shansi për Kamzën. Bonani kroson mirë nga e djathta, Martinena e ul saktë dhe i vetëm përballë Hoxhës, nuk u kuptua se çfarë kërkonte të bënte. Shpëtojnë “Demat”

74’ Provon dhe Mehmeti nga distanca, Kamza kërkon me forca të pakta barazimin

67’ Kamza rrezikon me një goditje standarte, por shoqërohet pa problem nga Hoxha

65′ Vijon e qetë sfida, Kamza e parrezikshme për “Demat”

56’ Gooool Partizani! Shënon Asani. Pas një rrëmuje në zonë, sulmuesi i “Demave” përfiton dhe godet me të majtën. Gjuajtja e tij devijohet dhe gjen rrjetën

49’ Pranë golit Partizani. Asani shkëputet mirë nga e djathta, shërben në qendër dhe një devijim i rrezikshëm vë në vështirësi portierin Selaci

46’ Nis me ndryshime pjesa e dytë, Hebaj i bën vend Mensah

45’ Mbyllet pjesa e parë në Kamzë, asnjë rast për tu shënuar

38’ Edhe Telushi provon të shënojë, por dhe gjuajtja e mesfushorit është e parrezikshme

35’ Provon Hebaj nga distanca, por e majta e tij shkon jashtë

25’ Hebaj ka mundësinë ideale për të shënuar. Një aksion shumë i bukur i Partizanit gjen të lirë Asanin nga e majta, i cili shërben në qendër për sulmuesin, por ky i fundit tregohet i pasaktë para porte

12’ Asani shkëputet mirë në zonë, kalon një kundërshtar dhe pengohet. Për gjyqtarin, gjithçka e rregullt

1′ Starton sfida në Kamzë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *