Mirel, tani është radha juaj!

0

Nga: Olsi Avdiaj

Elis Bakaj nuk luan! As Gilman Lika! Po kështu edhe Endri Vrapi! Po cili e ka radhën tani të largohet nga beteja? Me matematikën e thjeshtë, sigurisht Mirel Josa. Trajneri i Tiranës duhet të braktisë bardheblutë. Kjo është e sigurt. Edhe pse është rritur dhe ka dalë kampion me Tiranën, por ka qenë trajner i Vllaznisë, si do t’ia bëjë Shkodrës këtë mizori? Pra ta zbresë nga Kategoria, një qytet që e ka mirëpritur në 2007-2008-ën dhe 2011-2012-ën? A nuk është i justifikuar trajneri që të ngrihet në mëngjes dhe braktisë  stolin? Mund ta bënte edhe dy javë më parë me Skënderbeun, sepse ka fituar katër tituj në Korçë…Pra nuk ulej fare në stol, gjatë sezonit në ndeshjet me Skënderbeun, Vllazninë apo edhe Teutën. Por Josa nuk e bën dhe nuk do ta bënte kurrë edhe sikur të ishte trajner në Shkodër dhe të përballej me Tiranën në të njëjtën situatë. Sepse është profesionist. Ashtu si çdo trajner tjetër në botë. A do ta bënte Ançeloti, të mos përballej dot me Milanin dhe të braktiste anijen në sekondën e fundit? As që bëhet fjalë.

Po Bakaj, Lika e Vrapi. Të tre djem fantastikë dhe futbollistë model, ndoshta të ndershëm me veten dhe publikun. Por jo profesionistë në këtë rast! Nuk mund të bëhemi moralistë të çështjes, pasi të gjithë do të thoshin i mirëkuptojmë dhe është normale! Po çfarë e lidh Elis Bakajn me Tiranën? I rritur tek Partizani, kampion me Dinamon dhe lojtar i Tiranës. Për ata që kanë memorie të shkurtër ishin bardheblutë ata që e sulmonin Bakajn edhe fizikisht në fushë në një derbi Dinamo-Tirana, në atë “Qemal Stafën” që nuk ekziston më.

Po Gilman Likën dhe Vllazninë?! Veçse është lindur në këtë qytet, ka luajtur me këtë skuadër, por jo më shumë se me Tiranën. E bukura është se “Gili” ishte i vetmi që mbrojti shokët në sherrin e shkurtit në momentin ku askush tjetër nuk hapi gojë. Sigurisht, për të nderuar fanellën e Tiranës. Që çuditërisht e ka veshur më shumë si profesionist në krahasim me fanellën e Vllaznisë(pa llogaritur moshat).

Sa për Endri Vrapin, gjithmonë kam menduar se ishte djali model në fushë, por jo më pak se Lika dhe Bakaj. Profesionisti që luan kudo njëlloj, si në nëntë skuadrat ku ka qenë i pranishëm. Nuk dua të vë në dyshim dëmtimin e tij, por nëse është tërhequr për çështjen e “moralit”, ka gabuar.

A do të guxonte kush që ta bënte në një kampionat tjetër… Kurrë! Sepse askush nuk do t’u ofronte më një kontratë. Lënë mënjanë ndjenjat, dashurinë për fanellën dhe të kaluarën, të tre djemtë kanë gabuar. Duhet të luanin në fushë. Të jepnin maksimumin dhe se çfarë do të ndodhte, t’ia linin fushën. Për më tepër, Lika, Bakaj e Vrapi janë vetëm 1 e 11-ta e skuadrës…  

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here