Milwaukee Bucks si tank, LeBron James ndalet nga “Spurs”-at

Milwaukee Bucks nuk ndalen: gjashtë ndeshje, gjashtë fitore. “Viktima” e radhës ishte Orlando Magic, që e ka pësuar me rezultatin 113-91. Gjithçka praktikisht u mbyll në tre periodat e para (30-25; 35-26; 28-17), pasi Bucks ishin në avantazhin e 25 pikëve. Në periodën e katërt një lëshim i lehtë, por Magic realizoi vetëm tre pikë më shumë (20-23).

Giannis Antetokounmpo ishte si zakonisht shënuesi më i mirë, teksa realizoi 21 pikë. Jo vetëm kaq, por ai u kursye për ndeshjen e radhës, pasi luajti vetëm 19 minuta. Nikola Vuçeviç i miqve ishte i pafuqishëm të udhëhiqte miqtë për të bërë surprizën ndaj Milwaukee.

Los Angeles Lakers, pas dy fitoreve radhazi është “ritakuar” me humbjen. LeBron James ishte më i miri në fushë me 35 pikë, 11 rikuperime e 4 asiste. Gjithsesi në fund San Antonio Spurs fitoi 110-106. Lakers e nisën mirë, teksa e mbyllën periodën e parë me avantazhin e shtatë pikëve (29-36).

Në të dytën (25-24) Spurs-at shënuan vetëm një pikë më shumë, por gjithçka u përmbys në gjysmën e dytë (33-28; 23-18) të ndeshjes. DeMar DeRozan për Spurs-at bëri një paraqitje të mirë, teksa shënoi 30 pikë, si dhe regjistroi 8 asiste dhe 12 topa të rikuperuar.

Triumfon Philadelphia 76ers, që mundi 105-103 Charlotte Hornets. Festoi Joel Embiid, i cili realizoi 27 pikë dhe rikuperoi 14 topa. Kemba Walker për Hornets shënoi më shumë pikë, 37, por nuk pati mbështetjen e duhur nga shokët e tij për të fituar.

Miami Heat ka likuiduar Portland Trail Blazers 120-111. Nisje e mirë e ndeshjes për vendasit, që realizuan 11 pikë më shumë. Në dy periodat e radhës e thelluan avantazhin, kurse në periodën e katërt ishte e vështirë që të përmbysej. Goran Dragiç ishte shënuesi më i mirë për Miami Heats, me 28 pikë. Dwyane Wade dhe Kelly Olunyk realizuan nga 19. Për Blazers 42 pikët e Damian Lillard shërbyen vetëm për shifrat personale të basketbollistit.

Chicago Bulls kanë fituar në transfertë ndaj Atlanta Hawks 85-97. “Demat” e treguan forcën e tyre në gjysmën e dytë të ndeshjes, kur shënuan 15 pikë më shumë se skuadra vendase. Zach LaVine bëri një paraqitje të mirë, me 27 pikë të shënuara dhe 11 topa të rikuperuar.

Memphis Grizzlies thyen Phoenix Suns 117-96 dhe e nisën vrullshëm ndeshjen. Tetë pikë më shumë në periodën e parë (26-18) dhe 17 pikë më shumë në periodën e dytë (42-25) bënë që ndeshja praktikisht të ishte e mbyllur. Reagimi i Suns në periodën e tretë (19-28) ishte i pamjaftueshëm për të ndryshuar fatet e ndeshjes.

Philadelphia 76ers-Charlotte Hornets 105-103
Miami Heat-Portland Trail Blazers 120-111
Milwaukee Bucks-Orlando Magic 113-91
Atlanta Hawks-Chicago Bulls 85-97
Memphis Grizzlies-Phoenix Suns 117-96
San Antonio Spurs-Los Angeles Lakers 110-106

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *