Milot Rashica, nga hero në i harruar

Në muajin shkurt Verder Bremen derdhi tetë milion euro në arkat e holandezëve të Viteses për kartonin e sulmuesit të talentuar të përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica. 22-vjeçari asokohe ishte blerja e pestë më e shtrenjtë në historinë e klubit gjerman dhe mendohej se do të ishte vetëm çështje javësh para se ai të siguronte një vend stabël në formacionin e skuadrës nga Gjermania veriore. Por, nuk ka rezultuar aspak kështu.

Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar Rashica u aktivizua në vetëm 9 takime të Bundesligës ku shënoi një gol. Në të pesta takimet ku e nisi titullar u zëvendësua, ndërsa në katër të tjerat e nisi nga stoli. Sezoni i ri filloi në mënyrë perfekte për djaloshin nga Vushtrria, i cili i dhuroi tri pikët skuadrës së tij me një goditje standarde në transfertën e vështirë ndaj Frankfurtit në javën e dytë të Bundesligës.

Një muaj e gjysmë pas atij goli, Rashica e gjen veten në një pozitë shumë të vështirë. Sulmuesi nuk ka marrë asnjë minutë në katër ndeshjet e fundit, madje në dy prej tyre nuk ishte as listën e 18 lojtarëve të grumbulluar. Duket qartë se trajneri Florian Kohfeld nuk ka një vlerësim të lartë për aftësitë e lojtarit të përfaqësueses së Kosovës, çka shton gjasat që 22-vjeçari të bëjë gati valixhet në muajin janar, ku mund huazohet ose largohet përfundimisht pas vetëm një viti në kampionatin gjerman.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *