Milionerë pa turp, Siti shpartallon dhe vjedh Shahtarin

Champions League, kulmi i futbollit, ajka e lojtarëve dhe miliona për të tërë. Mançester Siti ka vite që investon pa fund për t’u ngjitur në majë, tashmë është nën akuzë për manipulime financiare të frikshme dhe prej sot do t’i shtohet edhe damka e një klubi me lojtarë hajdutë.

Siti shpartalloi 6-0 Shahtar Doneck dhe nuk përbën lajm, sepse diferencat janë të mëdha dhe fitorja e Sitit, ashtu si kualifikimi, nuk janë në diskutim.

Megjithatë, pas golit të parë nga David Silva në minutën e 13-të, Siti e mbylli ndeshjen duke vjedhur, sepse në minutën e 24-të Rahim Sterling u rrëzua në zonë pa pasur asnjeri afër, por në vend që të sqaronte arbitrin se goditi fushën me këpucë pa dashje, uli kokën dhe gëzoi për penalltinë e fituar, shënuar nga Gabriel Zhezus. Skandaloze, tashmë nuk flitet më për ndeshjen, por vetëm për paturpësinë e Sterling, i cili do kishte marrë lavdi nëse sillej si Di Kanio apo lojtarë të tjerë që në histori kanë treguar se një gol i vjedhur nuk vlen sa dinjiteti dhe burrëria.

Më pas, në pjesën e dytë shënuan Sterling, Gabriel Zhezus me penallti, Mahrez e sërish Zhezus, ndërsa Siti është në krye të grupit të vet.

LIONI HEDH POSHTË 2 PIKË

Të luash në shtëpi, të shkosh në pushim me rezultatin 2-0 dhe më pas rivali të mbetet me 10 lojtarë, a nuk është skenari i ëndrrave? I ndodhi Lionit sot, por si dreqin përfundoi 2-2 ndaj Hofenhajmit? Gjermanët e trajnerit të talentuar Nagelsman luajtën pa frikë, sulmuan pa fund dhe u shpërblyen, sepse pas golave të Fekir e Ndombele iu përgjigjën Kramariç e Kaderabek, ky i fundit në shtesë.

 

BAJERNI AVANCON PA PROBLEME

Dy gola nga Robert Levandovski, nga një në çdo pjesë, i kanë dhënë një fitore komode Bajernit ndsj AEK-ut. Gjithçka e thjeshtë në Mynih, diferenca të mëdha dhe më në fund edhe gola për Bajernin, që në fakt në aspektin e lojës dominon ndaj çdo rivali, por ka disa javë që nuk di të fitojë. Tre pikë dhe në krye të grupit E, aty ku Ajaksi ka marrë një barazim të artë 1-1 në Lisbonë ndaj Benfikës në krizë, që tashmë është 4 pikë pas holandezëve dhe vetëm një mrekulli e kualifikon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *