Milionat nga Kina, Bajerni dëshiron futbollist kinez

0

Presidenti i Bajernit të Mynihut, Uli Hënes, e ka kuptuar se Kina është një minierë ari dhe mendon se përfshirja te Bajerni e një lojtari kinez do të sillte fitime kolosale për kampionët e Gjermanisë.

Futbolli është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm këto vitet e fundit, me disa emra shumë të njohur që janë transferuar në Superligën kineze dhe një numër i madh investitorësh po hedhin sytë nga Europa, me Interin e Milanin që tashmë kanë pronarë kinezë.

Bajerni ka ndërtuar një numër akademish në Kinë, për të ndihmuar në rritjen e futbollit aty, ndaj Hënes shpreson që strategjia e klubit bavarez herët a vonë të fillojë të prodhojë përfitime financiare.

“Kinezët janë të rinj në treg, sepse presidenti i tyre ka vendosur që futbolli të transformohet në sportin kryesor në Kinë. Futbolli do të jetë sporti më i rëndësishëm edhe në shkolla. Ne kemi ndërtuar 4 akademi futbolli në Kinë dhe filozofia ime është që herët a vonë te Bajerni do të vijë një lojtar kinez. Një lëvizje e tillë do të krijonte një interesim të jashtëzakonshëm. Nëse ne luajmë të shtunën në orën 14.00, kur është mbrëmje në Shanghai apo Pekin, jam i sigurt që 300 milionë kinezë do ta ndiqnin ndeshjen në telefonat e tyre celularë, duke paguar, le të themi, 1 euro për të parë ndeshjen direkt. E imagjinoni vetë përfundimin”, u shpreh Hënes për Blick, duke shpalosur një plan shumë ambicioz, edhe pse natyrisht është një operacion i vështirë, sepse Bajerni nuk e ka luksin të mbajë në skuadër ndonjë lojtar mediokër vetëm për përfitime financiare. Nga ana tjetër, në këtë moment ende nuk ka ndonjë lojtar klasi nga Kina, por në pak vite, gjithçka mund të ndodhë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image