Miliona për “Pirlon” e Nicës, Fulhami bën dy goditje në një ditë

Verën e shkuar Barcelona thuajse mbylli blerjen e një mesfushori, Zhan Mikael Seri, nga Nica, por në momentet e fundit ndërroi plan, duke blerë Paulinjon nga Guangzhu.

Fakti që Barcelona kërkonte një mesfushor të kampionatit francez dhe ishte gati të paguante mbi 20 milionë euro tregon qartë që bëhej fjalë për një lojtar mjaft cilësor dhe këtë verë Çelsi e Arsenali ishin ndër klubet që po luftonin për ta blerë.

Megjithatë, garën e ka fituar Fulami, që është kthyer me ambicie të mëdha në Premier Ligë dhe ka një buxhet të rëndësishëm për merkaton.

26-vjeçari vjen nga tre sezon fantastike me Nicën, duke u bërë një ndër yjet e kampionatit francez, ndërsa sot ka firmosur dhe është prezantuar me ekipin londinez. Bëhet fjalë për një mesfushor që krahasohet me Pirlon për nga mënyra e lojës, sepse është shumë i zoti në organizim, e njeh mirë portën kundërshtare, jep asiste me shumicë, por di të luajë edhe para mbrojtjes, duke treguar se është një lojtar i kompletuar.

Ndërkaq, Fulami duket se te Nica ka gjetur “minierën e arit”, sepse së bashku me Serin ka marrë edhe mbrojtësin Maksim Lë Marshand.

Qendërmbrojtësi 28-vjeçar luante me Nicën prej vitit 2015 dhe sezonin e shkuar ishte ndër më të mirët e Ligës 1 franceze, ndaj Fulami ka vendosur ta blejë së bashku me Serin, për 35 milionë euro në total.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *